Nga Artur Ajazi/
Sindromi “po iku i madhi, ikëm edhe ne” po i shoqëron prej vitesh oborrtarët e vjetër dhe të rinj të Partisë Demokratike, por më së shumti ata, “të rinjtë” që sot mbushin selinë e kësaj partie me kryetar Lulzim Bashën. Ndaj ata sot më shumë se kurrë, duken të afruar dhe grusht bashkuar rreth partisë dhe njëri-tjetrit. Duket sikur Luli i ka bërë të gjithë si vetja, të pamotivuar, duke i nënshtruar përmes alarmit se “po ika unë, ikët të gjithë ju”.
Kjo në fakt përsëritet gjithmonë kur ka kriza në PD, gjithmonë kur publikohen skandale dhe abuzime me statutin e partisë, me financat, me pasurimin e paligjshëm të kupolës, dhe gjithmonë që nis dhe vepron ligji mbi antiligjorët. Kjo ka ndodhur edhe së fundi, kur Prokuroria arrestoi zyrtarët e PD në Lezhë, dhe Lulzim Basha ngriti ata pak militantë duke i gozhduar tek dera e Gjykatës së Rrethit për të kërkuar “drejtësi, drejtësi ”. Partia Demokratike me Lulzim Bashën gjithmonë ka qenë pengesa e zbatimit të reformave në drejtësi, vazhdimisht ka qenë në krahun e fajtorit, kur ai ka qenë “demokrat”, dhe çuditërisht kjo ngjet kur arrestohen ata që kanë zhvatur dhe grabitur troje dhe prona në bregdet pasi janë hetuar nga organet kompetente.
Kjo në fakt ndodhi edhe në rastin e pallatit të “vjerrit”, edhe asokohe ai ngritit “demokratët” e Vlorës në protesta, por këta të fundit duket se e kuptuan shpejt lojën e tij, dhe e braktisën. Por nuk i doli keq, sepse u dëmshpërblye jo pak, por plot 12 milion euro.
Sot të gjithë sekretarët e rinj të Lulit janë bërë si ai, të gjithë i turren qeverisë shkak dhe pa shkak, të gjithë ngrenë gishtin tregues duke u bërë qesharakë pa asnjë shkak, të gjithë i sulen gjykatave dhe Prokurores së Përgjithshme kur arreston persona në kërkim ose zhvatës të pronave dhe parave publike. I ke bërë të gjithë si vetja Lul. Dhe kjo në njëfarë mënyre është arritje, është aftësi, pasi askush tjetër me paksa formim arsimor dhe intelektual, nuk do të dilte para kamerave dhe të bëhej lolo për ty, por për misionin opozitar.
Por ata që ti prure me “listat ekzkluzive” nuk janë asgjë tjetër Lul, veçse servilët e tu, sejmenët e tu, pasi ata nuk dinë as të flasin, as të komunikojnë, dhe as të argumentojnë politikisht problemet që kanë sot shqiptarët, aq më tepër elektorali tyre i tkurrur, por thjesht lexojnë çfarë i japin. Deri sot, Lulzimi dhe dikush tjetër në PD (gjithmonë nën hijen e Berishës) kanë qene prej atyre politikanëve që dukeshin dhe në fakt ishin “të paprekshmit” në këtë vend, por duket se ndryshimet e sistemit drejtësisë dhe rënia e celulës që i garantonte këtë paprekshmëri, i ka tmerruar.
Protestat e fundit partiake që thirri PD nuk ishin për “drejtësinë e pavarur”, por kundër drejtesisë së rilindur, kundër drejtësisë së barabartë për të gjithë, pasi mjafton të shikoje kush ishte në krye të turmave, dhe të mendoje se sekretarët e tij, janë gati të tallen dhe të turpërojnë vendin e tyre gjithmonë që preken interesat e kryetarit. Së fundi, ngritja e “komisionit të hetimit të Tahirit”, mbetet veprimi më qesharak që sekretarët e Lulit kanë ndërmarë, duke konkuruar në mënyrën më qesharake organin e Prokurorisë. Pra ata, sekretarët e Lulit, janë kthyer në “prokurorë” dhe do të hetojnë…. Tahirin.
Ashtu si edhe komisionet e tjera “hetimore” parlamentare, edhe ky komision është e padiskutueshme që do të dështojë, pasi qysh në ditën e parë të formimit, sekretarët e Lulit nuk rreshtën së dhëni intervista që vetëm me objektin e atij komisioni nuk kishin lidhje. “Shumë dhe për lumë” thotë populli, ashtu mbetet për të thënë edhe për komisionin e propozuar e ngritur nga PD për “Tahirin”.
Kësaj i thonë “ty të ka rënë çatia, ti shikon derën e komshiut”. Partia Demokratike sot ka marrë formën dhe përmbajtjen e kryetarit, duke mbytur gjithçka demokratike brënda strukturave të saj, duke fshirë dhunshëm gjithçka vlente brënda selisë saj, dhe duke u katandisur në një parti pa program politik. Opozita e PD sot bëhet ditore, bëhet nga kafenetë e sekretarëve të kryetarit, të cilët duhet thënë se “ deri tani janë të kënaqur, sepse veç rrogës në parlament, marrin edhe ndonjë gjë tjetër plus për shërbimet që kryejnë”.
Si mund tu besosh atyre dhe Lulzim Bashës kur flasin për “rritjen e varfërisë, rritjen e papunësisë” kur jeta e tyre është luks nga makinat dhe deri tek vilat që disponojnë. Tallja e tyre është e turpshme, fjalët e tyre nuk i beson asnjë shqiptar i zgjuar, aq më tepër kur shikon se si kjo opozitë sulet ndaj organeve të drejtësisë, dhe merr gjithmonë në mbrojtje fajtorët dhe jo viktimat. I ke bërë të gjithë si vetja Lul.