Ndjesia më e bukur e Lazio këtë sezon, Thomas Strakosha festoi sot ditëlindjen e tij të 23-të. Portieri shqiptar është kthyer në një element tepër të rëndësishëm për Lazio-n këtë edicion. Në shenjë vlerësimi dhe respekti klubi i bardhekaltërve ka përgatitur një video montazh për 23-vjeçarin për ta uruar për ditëlindjen e tij. Ky videomesazh nis me një telefonatë nga i ati, Foto, që i tregon sesi duhet të sillet një portier në fushë. “Biri i babait, që të rrëzohesh në atë profesion, nuk është dobësi, por është shtytje që të ngrihesh akoma dhe më i fortë”, thotë Foto Strakosha për të birin e tij, Thomas.
“Që kur isha i vogël, kisha ëndërr të bëhesha portieri më i fortë në botë. Jetoja vetëm për futbollin. Stërvitesha 3 herë në ditë, për të bërë ëndrrën time realitet. Kam lindur dhe kam jetuar vetëm me një hero në jetën time dhe ai është babai im, idhulli im, Fotaq Strakosha. Mua më quajnë Tomas Strakosha dhe kjo është historia ime. Kisha kuptuar që në fillim se do ishte e vështirë të ikja vetë nga shtëpia, por e dija se do ishte për ëndrrën time. Kur shumë njerëz nuk kishin besim tek unë, mua më duhej vetëm besimi i familjes dhe besimi që kishte treguar trajneri Inzaghi dhe drejtori Tare. Fanella me numrin 1 është diçka më shumë. Gjithmonë mbaja mend, se portieri ishte i pari që paguan gabimin, por edhe i fundit që dorëzohet nga ndeshja. Portieri ka gjithmonë një detyrim. Të veprojë apo jo, por shumë shpejt. Pozicion i keq, ai i portierit? Ndoshta. Por, a e keni provuar ndonjëherë?”, thotë Strakosha në videomesazhin. /EDS/