23 zyrtarë të institucioneve vendore në Lezhë përfunduan në pranga apo u shpallën në kërkim. Por me gjithë përmasat e këtij operacioni, dhe rëndësisë që ka në vetvete zbardhja e një skandali kaq të rëndë, e gjithë vëmendja mediatike dhe ajo e opinionit publik u përqendrua tek një emër: kryebashkiaku i djathtë Fran Frrokaj.
Në orët e para pas shoqërimit të tij në polici figura dytësore të Partisë Demokratike nxituan ta cilësonin një arrestim politik të orkestruar nga kryeministri Rama, ndaj njeriut më të rëndësishëm politik të selisë blu në qarkun Lezhë.
Vetë kryetari i PD Basha u tregua i kujdesshëm duke shmangur reagimet pasditen pas arrestimit. Ai priti për më shumë informacione për të mësuar se deri ku shkonte përgjegjësia e eksponentit të rëndësishëm të partisë së tij dhe çfare faktesh kishte kundër tij.
Të nesërmen Basha zhvilloi një takim urgjent me strukturat e PD në Lezhë, pas të cilit shprehu qëndrimin e PD për arrestimin e Frrokajt. Së pari Basha u kujdes të distancohej nga njeriu i tij për të qenë në rregull nesër, nëse para drjetësisë konfirmohen akuzat ndaj kryebashkiakut.
“Sot dua t’u them të gjithë shqiptarëve se ne shpresojmë dhe urojmë që Fran Frrokaj të jetë i pafajshëm. Qëndrimi im dhe i Partisë Demokratike është i pandryshuar, të gjithë duhet të jenë të barabartë para ligjit, nga qytetarët e thjeshtë tek politikanët më të lartë”, tha Basha.
Por, mesazhi kryesor që Basha imponoi në media ishte ajo e një drejtësie selektive që sipas tij po godet vetëm njerëzit e opozitës. Nga njëra anë ai nxitoi të distancohej, nga ana tjetër mbajti ndezur tezën e drejtësisë selektive.
“Nuk mund të ketë drejtësi selektive. Nuk mund të ketë drejtësi, nëse Tahiri, Dako, Gjiknuri, Ahmetaj, Sejdini dhe një grusht kryebashkiakësh të korruptuar dhe zyrtarë të lartë të korruptuar të kësaj qeverie nën akuza për vepra të rënda penale, nuk do të dalin para drejtësisë”, u shpreh kreu demokrat.
Kjo tezë është përforcuar nga eksponentë të rëndësishëm të PD që kanë dhënë mesazhin se Frrokaj sipas tyre është i pafajshëm.
Por sa qëndrojnë akuzat e demokratëve? A janë marrë ata me të gjithë 23 emrat e përfshirë në këtë hetim? Majfton të shohim që aty ka të arrestuar edhe zyrtarë të Hipotekës (që drejtohet nga socialistët në pushtet) e deri te kreu i Këshillit të Qarkut për të kuptuar se aksioni shkon përtej goditjeve politike.
Mes të arrestuarve ishte edhe Gjok Ndoka. Në media ai u përmend gjerësisht si “xhaxhai i ish-deputetit të PS Arben Ndoka”. 52-vjeçari është Kryetar Këshillit të Qarkut Lezhë, i emëruar nga Partia Socialiste. Ai është një prej emrave më të rëndësishëm të kësaj force në Lezhë, dhe vjen nga një familje me jo pak ndikim. Mes të arrestuarve janë edhe zyrtarë të Hipotekës (në fund të gjithë emrat e të ndaluarve) një institucion që drejtohet nga të majtët në pushtet.
1. Fran Frrokaj, 52 vjeç, lindur dhe banues në Lezhë, me detyrë Kryetar i Bashkisë Lezhe.
2. Enver Hafizi, 62 vjeç, lindur dhe banues në Lezhë, me detyrë Nenkryetar i Bashkisë Lezhë
3. Gjok Ndoka, 52 vjeç, lindur dhe banues në Lezhë, me detyrë Kryetar Këshillit të Qarkut Lezhë
4. Adenis Haxhia, 29 vjeç, lindur dhe banues në Lezhë, me detyre jurist pranë Bashkisë Lezhë.
5. Dilaver Neli, 56 vjeç, lindur dhe banues në Lezhë, me detyrë specialist në Drejtorinë e Mbrojtjes së Tokës të Këshilli Qarkut Lezhë,
6. Enkelejd Zefi, 28 vjeç, lindur dhe banues në Lezhë, me detyrë specialist hartograf pranë ZVRPP Lezhë.
1. Gjelina Baca, 58 vjeçe, me banim në Lezhë, me detyrë Drejtoreshë e Drejtorisë së Bujqësisë në Bashkine Lezhë.
2. Juxhina Mema, 25 vjeçe, lindur dhe banues në Gramsh, me detyrë ish- specialiste në Drejtorinë e Bujqesisë në Bashkinë Lezhë
3. Marte Gjergji, 50 vjeçe, me banim në Lezhë, me detyrë topografe pranë Bashkisë Lezhë.
4. Frrok Frroku, 75 vjeç, me banim në Bashkinë Mamurras, ka përfituar tokë në menyrë të paligjshme.
Personat në kërkim:
1. Juxhina Mema Kadastra Bashki
2. Ardenis Haxhia Jurist ne bashki
3. Dilaver Neli
4. Eduart Leka ish arkivist komuna shengjin
5. Artan Djala, ish-drejtor i Hipotekes
6. Enkelejd Zefi
7. Bledar Cara jurist ne hipoteke
8. Marte Gjergji
/JavaNews.al