Teatri Kombëtar ka tashme një projekt, i cili do të prezantohet sot në orën 17.00 në hollin protokollar të COD në kryeministri. Bjarke Ingels, i njohur si djali i artë i arkitekturës daneze, dhe arkitekti më në zë sot në botë, i vendosur në Kopenhagen dhe Nju Jork, për Top Channel sqaron konceptin e godinës së projektuar për Teatrin Kombëtar.
“Ajo që duam të bëjmë me teatrin kombëtar, është të bëjmë një institucion kombëtar që dëshmon performancën artistike të Shqipërisë, por të bëjmë edhe një godinë që është shumë shumë publike. Gjithashtu do të jetë radikalisht transparente. Ndërtesa do të ketë 600 vende brenda saj, do të ketë dy skena eksperimentale për gati 120 vetë. Pjesa e poshtme e ndërtesës do të jetë një zonë publike e mbuluar ku mund të zhvillohen evente publike ose koncerte”, thotë Bjarke Ingels, arkitekt.
Sa i përket territorit të teatrit, çështje kjo e diskutuar si shumë e rëndësishme edhe nga vetë artistët arkitekti sqaron që ajo do të trefishohet.
“Në termat e sipërfaqes, teatri do të trefishohet si hapësirë, dhe do të ketë gjashtë hapësira në ndryshim nga vetëm një ekzistuese”, vijon ai.
E rëndësishme për arkitektin nuk është ruajtja e një godine që nuk i plotëson standardet për të vazhduar ekzistencën si teatër, por fakti që adresa e teatrit do të jetë e njëjtë. Duke ju dhënën kështu edhe një përgjigje artistëve që duan ruajtjen e godinës, ose shndërrimin e saj në muze.
“Godina është e papërshtatshme për Teatër Kombëtar. Ajo që ne duhet të përqendrohemi nuk është godina, por aktiviteti në vetvete. Të jemi të sigurtë që Teatri Kombëtar i Shqipërisë të ketë shtëpinë në qendër të Tiranës”, thotë Ingels më tej.
ma.me