ITALI– Një shqiptar i dënuar me 22 vite burg për trafik ndërkombëtar droge është arratisur nga spitali i burgut në Parma të Italisë.
Nimon Zogaj, 50 vjeç u arratis nga spitali Maggiore, aty ku ishte shtruar prej pak kohësh për shkak të problemeve shëndetësore, por e ka shfrytëzuar si mundësi për t’u arratisur. Kur rojet e sigurisë kryen një kontroll rutinë, vunë re që krevati i tij ishte bosh.
50-vjeçari u arrestua në vitin 2016 në kufirin mes Malit të Zi dhe Kosovës pas 11 vitesh në arrati. Por kjo nuk është hera e parë që ai arratiset, pasi është arrestuar edhe më parë në Zvicër në akuzën e trafikimit të lëndëve narkotike dhe u arratis nga burgu për t’u ekstraduar në vitin 2005. Policia italiane vijon kërkimet për kapjen e tij. (Balkanweb)