Nga Ilir Yzeiri
Muaji mars ka një shenjueshmëri të veçantë në Shqipëri. Në të shumtën e herës, kjo shenjueshmëri është tragjike. Në mars ka ndodhur rebelimi i madh i vitit 1997, në mars po ashtu, një apo dy vjet më vonë, nisi eksodi i madh nga Kosova, në mars ndodhi shpërthimi tragjik në Gërdec që u mori jetën 21 vetëve, në mars shqiptarët e Shqipërisë së mesme festojnë ditën e verës, por në mars janë edhe plakat ose tri ditët e shenjuara si hakmarrje e Zotit për mendjelehtësinë e plakës që u ngjit në mal dhe, për të sfiduar kohën, u zhvesh e dogji rrobat e dimrit. Mirëpo Perëndia, që nuk duron autoritet tjetër mbi të, e ngriu plakën e gjorë me gjithsej. Në mars i plasi edhe Lulëzim Bashës skandali me pagesat e dyshimta për lobim në SHBA dhe një foto me Trump.
Edhe Kadareja një vepër të tij e ka quajtur « Lulet e ftohta të marsit ». Ky arsyetim me ngjyra letrare natyrisht nuk e tregon në mënyrë të mjaftueshme dëshpërimin që ndjehet përgjithësisht në këto kohë në Shqipëri. Siç e dimë të gjithë, papunësia nuk po zvogëlohet, por po rritet. Investimet janë në shifra jo të përfillshme dhe në vend lulëzon më shumë ekonomia e shërbimeve dhe vetëpunësimi. Mirëpo ajo që të bën përshtypje më shumë është mungesa totale e transparencës dhe e informacionit për shëndetin ekonomik të vendit. Edi Rama poston çdo të diel nga një video me pamje nga qytetet e Shqipërisë që ndryshojnë a thua se është përgjegjës i zyrës së marrëdhënieve me publikun në ndonjë agjenci turisitike. Opozita mjerane shqiptare është bërë si Aranit Çela që lexon çdo ditë të njëjtën pretencë për Sajmir Tahirin dhe grupet kriminale që qeverisin vendin.
Qeveria ka luksin më të madh se i ka hipur këtij populli në kurriz dhe nuk pyet fare se çfarë bën, nuk i jep llogari askujt për atë që bën. Ndërkaq, gjithë këta vite kam vrarë mendjen dhe nuk arrij të gjej një përgjigje për këtë argument që do të shtroj më poshtë. Ne jemi më pak se 3 milion banorë. Kanë kaluar 28 vjet nga rënia e diktaturës dhe ne flasim gjithë ditën për krim, krizë, papunësi, drogë, injorancë, degradim e kështu pafund. Si ka mundësi që asnjë qeveri nuk na tregon një gjë të thjeshtë që është kjo : të numurojë shqiptarët kudo që janë dhe të hartojë një data base me të dhënat për familjet, banorët, pronën dhe punën që ata kryejnë.
Pas kësaj të kishim një fotografi të plotë të Shqipërisë për çdo lagje qyteti e fshati dhe mbi bazën e kësaj të ndërtoheshin edhe politikat e punësimit. Edi Rama, para disa ditësh, pushoi nga puna në mënyre spektakolare Drejtorin e Përgjithshëm të Shërbimit të Punësimit sepse administrata e tij, e Ramës në këtë rast, nuk po arrin të plotësojë vendet bosh që ka në organikat e saj. E kuptoni se ku jetojmë ? Një qeveri që drejton më pak se 3 million banorë, ka një vit që nuk mbush dot administratën me punonjës. Mendoni tani se çfarë fantazije mund të ketë kjo qeveri që të krijojë hapësira për vende të reja pune.
Një anë tjetër që i dallon shoqëritë e konsoliduara nga ato primitive dhe që qeverisen nga elita mediokre është edhe aftësia që kanë ato për ta rrëfyer vendin e tyre. Shihni se çfarë ndodh. Të gjithë shqiptarët marrin vesh se Gjermania fjala vjen ka nevojë për kaq ose aq punonjës në këtë apo atë sektor. Të gjithë e dimë se edhe në Shqipëri ka agjenci legale që rekrutojnë punonjës për jashtë vendit. Le të më tregojë një njeri se kur ka dëgjuar apo ku ka lexuar se për çfarë ka nevojë ky vend ? Cilat janë ato agjenci shqiptare që merren me tregun e punës dhe janë faktorë në ligjërimin mediatik. A kini parë ndonjë emision apo a kini dëgjuar ndonjë informacion nga RTSH-ja publike që paguhet nga taksat tona edhe për të shpërndarë e për të informuar publikun për çështje utilitare, se sa nevoja ka ky vend, se çfarë specialistësh kërkohen këtu apo aty. Për fat të keq jo.
Para disa ditësh u dha një lajm sipas të cilit një përqindje e caktuar shqiptarësh u thirrën dembelë dhe këta ishin shumë. U thirrën të tillë, sepse ata refuzonin punën që u kishte caktuar njësia vendore apo enti që u jepte ndihmën ekonomike dhe në vend të saj parapëlqenin ato pak lekë të thata që i merrnin nga ndihma ekonomike. Mund të jetë edhe kështu, por unë do ta besoja këtë qortim që e bëri edhe Milva Konomi, në mos gaboj, nëse do të kishim më parë të qartë një panoramë tjetër, atë të mundësive reale që ofrohen në tregun shqiptar të punës.
Mirëpo e gjithë kjo, sipas meje, lidhet me kulturën e përgjithshme të jetës dhe të punës. Ne, shqiptarët, është e vërtetë se kulturën e punës e kemi jo fort të arrirë. Historia jonë nuk është histori suksesesh në lëmenjtë e punës apo të inovacionit. Për fat të keq, historia jonë është histori luftërash dhe heroizmash ndonjëherë edhe pa kuptim. Në të vetmen kohë që shqiptarët u detyruan të punojnë ajo ishte një periudhë që nisi me entuziazëm dhe u transformua në dëshpërim. Shqiptarët punuan në mënyrë shembullore, të burgosurit u shfrytëzuan në mënyrë skllavërore dhe diktatura arriti të krijojë disa vepra të mëdha, por nuk e kultivoi te shqiptarët kulturën e punës që të bën të lumtur. Pas viteve ’90, shqiptarët në shumicën e rasteve, u çartën mendsh dhe nisën aventurën e pasurimit të shpejtë dhe me çdo çmim.
Qeveritë e tyre, pa asnjë vizion i shkatërruan të gjitha ato resurse që ishin arritur në 50 vjet diktaturë dhe instaluan në vend kulturën e kapitalizmit të egër. I forti, krimineli, qeveritari i korruptuar, fanatiku partiak u bënë njerëzit më të suksesshëm dhe zëvendësuan nomenklaturën komuniste me përfitime disa herë më të mëdha. Sot kemi arritur në këtë gjendje që e kemi të vështirë të numurojmë shqiptarët dhe të dimë sa të tillë jetojnë në këtë vend, sa hapësirë banimi kanë, sa fëmijë, çfarë profesioni kanë dhe kush punon e kush jo. Sa jetojnë këtu dhe sa prej tyre jetojnë jashtë. Ndaj, në mars kur dita nis e zgjatet dhe kur një pjesë shqiptarësh do të dalin rrugëve e do të zdërhallen nëpër lulishte duke festuar Ditën e Verës, ne do të na duhet të kujtohemi përsëri se ky vend, ashtu si vendet e Lindjes të krijon një përshtypje të dyfishtë. Po t’i shohësh rrugët dhe kafenetë e këtij vendi të duket sikur këtu jetojnë 30 milionë shpirtra. Në fakt nuk janë më shumë se 3 milion, por, meqenëse nuk i drejton dhe nuk i orienton askush, vijnë të gjithë vërdallë nëpër kafe e nëpër rrugë dhe qendra është plot, rrugët janë plot dhe për fat të tyre edhe diell ka plot. Aferim ! (Tema)