Partia Socialiste ka reaguar sërish ditën e sotme lidhur me lobimin e rusëve në SHBA për llogari të Partisë Demokratike dhe kreut të saj Basha. Përmes një deklarate për mediat, deputetja e PS Blerina Gjylameti deklaroi se provat janë të padiskutueshme. Teksa përshëndeti nisjen e hetimeve nga prokuroria, ajo akuzoi Bashën se po përpiqet të mbrohet me shantazhe.
“Investigimi i ‘Mother Jones’ nuk lë vend për diskutime dhe provat janë të padiskutueshme, dëshmitë e sjela mbajnë vulën e DASH. Bamirësit rusë të PD janë të identifikuar, transfertat nga komopanitë fantazmë janë të vërtetuara. PS gjen rastin të përshëndesë prokurorinë që ka nisur hetimin e këtij skandali. E megjithatë, ndërsa lajmi po bën xhiron e botës, due u ripublikua në gazetat më të mëdha, përgjegjësi kryesor nuk ka shpjeguar se cilat janë lidhjet e vërteta me këta biznesmenë rusë. I vendosur përballë pyetjeve të ligjshme të publikut, Basha ka zgjedhur rrugën e shantazhit duke kërcënuar revistën amerikane.”, tha Gjylameti.
Në fund deputetja e PS ngriti disa pyetje për kreun e PD:
“Basha duhet të na tregojë, a ka pagesa të tjera veç këtyre që mbeten të fshehura? Kush janë njerëzit që kontaktuan me njerëzit rusë në emër të PD? A ishte Basha që negocioi vetë? Çfarë u premtoi Basha këtyre rusëve në këmbim të parave të tyre? Si ka mundësi që kompania paguan Bashën edhe pse ai deklaron se nuk i njeh ata?”
Gjylameti i bëri thirrje prokurorisë të marrë në pyetje kreun e PD, Basha./a.m.