Nga Artur Ajazi
Lajmi i shumëpërfolur këto ditë në media, se “Lëvizja e Mendimit Ndryshe në PD” po shkon drejt krijimit të partisë re”, duket se e ka futur në siklet dhe ankth Lulzim Bashën. Kjo pasi formimi i një partie tjetër demokratike, me ish-krerët e saj të larguar dhunshëm dhe pabesisht nga Luli, e nxjerr PD e tij automatikisht forcë e pestë. Situata e krijuar në PD e Lulit muajt e fundit mbetet katastrofike, me ngjarje dhe incidente të pakëndshme, aq sa shumica e deputetëve të rinj, janë bërë gazi botës.
Ngjarja më e fundit me dy protagonistët e grupit parlamentar të kapur gafil nga kameramanët e televizioneve duke shkëmbyer sms “private”, ishte edhe kulmi i gjendjes shumë serioze në të cilën është zhutyr sot PD. Kaos, çoroditje, mungesë drejtimi dhe menaxhimi, mungesë respekti dhe aftësish nga ata që Lulzim Basha i ka marrë vetë, me “ekskluzivitetin e tij” dhe i ka graduar deputetë apo “ligjëvënës”. Njerëz të marrë nga bingot, nga bastet live, nga shtëpitë dhe kafenetë e ish-bllokut, sot janë bërë “e ardhmja e PD”. Një turp i madh, një shkatërrim total i strukturave të një partie e cila u krijua me shumë dhimbje dhe dashuri nga brezat e studenteve të dhjetorit 1990, dhe që sot ka rënë në duart e një grupimi aventurierësh dhe mediokër.
Dalja e mendimit ndryshe, e një grupimi kontribuesisht të vjetër të PD, kundër veprimeve dhe mënyrës së drejtimit politik të PD, ishte dhe nuk ishte befasia e Lulit, por edhe pritshmëria nga një situate e krijuar vitet e fundit, nga një njeri i ardhur nga Kosova e Hollanda, dhe i ulur si me katapultë në krye të partisë.
Ky ishte Lulzim Basha, që fillimisht erdhi si KOP-pist, dhe pastaj u bë qeveritar i preferuar i Berishës, duke ardhur avash-avash deri në postin e lartë të kryetarit të PD. Ai ishte njeriu që ka mbajtur poste shumë të rëndësishme në qeverinë e PD nga 2005 deri 2013, dhe nuk janë të panjohura edhe bëmat financiare apo dhe denoncimet ndaj tij përsa kohë ishte ministër edhe për ngjarjet e 21 janarit.
Por duket se Luli arriti t’ja “hedhë” deri sot, i kaloi të gjitha sikletet edhe me ndihmën e Adriatik Lallës, të cilin e shiti pas bllokimit që i bëri SHBA, si njeri i korruptuar, dhe si zyrtar i cili u ka shërbyer politikës dhe rrjeteve të tjera me dosjet e mbyllura. Lulzim Basha në 6 vitet e tij si kryetar PD, e ka shkatërruar atë deri në seksionin e fundit, duke e renditur atë si forcë e tretë, politike në zgjedhjet e fundit, ndërsa pritet që në 2021 ajo të jetë forcë e pestë.
Largimi i Topallit, Patozit, Bodes, Rulit, dhe dhjetra emrave të tjerë nga kopola qendrore e PD, si dhe largimi i mijëra militantëve nga baza, e ka katandisur sot këtë parti në shoqatë. Mungesa e dialogut dhe transparenca me grupin e mendimit ndryshe, i ka detyruar këta të fundit ti tregojnë Lulit vendin, ti tregojnë atij se ai tashmë është i humburi, dhe duhet të largohet urgjentisht nga kreu PD, për ti hapur rrugën ribashkimit dhe rindërtimit të asaj partie.
Grupimi i mendimit ndryshe (grupi kundërshtar) ka vendosur të mos e presë më Lulin, të mos e ledhatojë më atë, të mos i lutet më atij sepse nuk ja vlen, dhe të pergatisë gjithçka duhet për krijimin e partisë re.
Kjo parti, natyrisht do të mbledhë ata mijëra demokratë nga baza, që votuan kundër PD Lulit, për të ribashkuar rreth vehtes të zhgënjyerit që janë shumica e partisë vjetër, për të synuar jo vetëm grupin parlamentar në zgjedhjet e 2021, por pse jo, edhe fitoren e demokratëve.
Partia e re, do të jetë fundi i karierës politike të Lulzim Bashës, e këtij njeriu të llastuar nga Berisha dhe të papranuar nga shumica e demokratëve. Partia e re , do të jetë forca kryesore e cila do të mbledhë rreth saj, ajkën e demokratëve, për ti frymëzuar sërish ata drejt vlerave të demokracisë perëndimore , drejt lirive dhe të drejtave të njeriut, të cilat Luli i shkeli me këmbë tek partia e tij e vjetëruar.