Stafeta e Polonisë në stafetën 4×400 metra në garat e meshkujve ka shkaktuar befasinë më të madhe të gjithë botërorit në atletikë me salla të mbyllura dhe ka shtangur edhe veten, kur vendosi rekord të botës të dielën në garën finale. “Është një shok i madh dhe befasi për ne.
Ne po synonim rekordin e Evropës, por nuk prisnim as në ëndërr një rekord të botës”, ka thënë atleti polak Rafal Omelko. Katërshja Karol Zalewski, Omelko, Lukasz Krawczuk dhe Jakub Krzewina vendosën rekord të botës me kohë prej 3:01.77 minutash, shkruan Reuters, transmeton “Koha Ditore”.
Por më mbresëlënëse ishte mënyra se si Krzewina, që u kthye menjëherë në hero të Polonisë, e ndoqi garuesin e fundit në stafetën amerikane Vernon Norwood dhe e zuri atë në metrat e fundit.
Stafeta amerikane dukej e pamposhtur, e veçanërisht pritej një fitore e sigurt kur Norwood ishte në epërsi. Norwood ishte kampion i SHBA-së në palestër në vitin 2016. Po ashtu rekordi i tij personal prej 45.31 sekondash krahasuar me atë të Krzewinas prej 46.15 sekonda e bënë që të dukej vetëm formalitet puna e fituesit.
Mirëpo Krzeëina bëri befasi duke e arritur dhe kaluar Norëoodin në fund. “Skuadra bëri punë të mrekullueshme, por nuk kam koment për garën time”, ka thënë Norwood. Të gjithë po komentonin angazhimin e Krzewinas.
“Mendoj se rrethi i fundit i Jakubit ishte kyç. Ai shtyu aq fort dhe është shumë i fortë këtë vit. Ai na ka ndihmuar më së shumti drejt fitores”, ka thënë Omelko… (b.an)