Promovohen dy librat e rinj të një prej profesorëve më të njohur të së Drejtës Ndërkombëtare, Dekanit të Fakultetit të Drejtësisë dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në UMSH, Ksenofon Krisafi. Në ceremoninë e organizuar në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë, morën pjesë dhjetra personalitete të ndryshme të politikës, diplomacisë, studiues e analistë.
“Lufta e Kosovës në Labirintet Diplomatike” dhe “Në Gjenevë për Kosovën-Fjalime në institucionet ndërkombëtare”, janë dy librat të cilat janë shkruar duke iu referuar kohës, kur Prof. Krisafi, ishte në krye të misionit diplomatik të Shqipërisë në OKB. “Janë libra që kanë nisur kur në Kosovë bëhej luftë dhe në qarqet diplomatikë ku kam bërë pjesë në atë kohë, punohej për ta ndalur atë. Janë vitë të mbushura me veprimtari mjaft intensive e përkushtim për një kauzë të madhe mbarë kombëtare.
Ndjehem vërtet me fat që isha pjesë e atij grupi njerëzve që punuan sinqerisht dhe pa u lodhur duke kontribuar modestisht për Kosovën”, u shpreh Prof. Krisafi gjatë ceremonisë, duke falenderuar të ftuarit që u bënë pjesë e saj. Këta dy libra u vlerësuan edhe nga kolegë e miq të profesor Krisafit. Në fjalën e tyre z. Fatos Tarifa dhe z. Pëllumb Xhufi, duke iu referuar dy vëllimeve të botuara, theksuan se në këto libra tregohet qartazi se cfarë mund të bëjë një diplomat i një vendi të vogël për një kauzë të madhe siç ishte pavarësia e Kosovës. Ata i cilësuan këta libra si dokumenta mjaft të rëndësishëm, të cilat do të mbeten gur themeli në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare veçanërisht me shtetin e Kosovës.
Themeluesi i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, Profesor e Akademik, Anastas Angjeli u shpreh se këto dy vepra kanë në thelb një komb, vijnë vetëm pak javë pas përvjetorit të dhjetë të pavarësisë së Kosovës. “Janë dy vepra për një çështje, gjatë luftës për pavarësinë e Kosovës, natyrisht të gjithë e njohim këtë luftë, por ka edhe një luftë tjetër të një karakteri të veçantë , lufta diplomatike e cila ka nisur dekada më parë dhe me veçoritë e saj e me vlerat është sjellë ashtu siç duhet nga prof. Ksenofon Krisafi,falë përvojës së tij , falë veprimtarisë konkrete dhe praktikë në fushën historike e diplomatike , të drejtën ndërkombëtare”, u shpreh themeluesi i UMSH-së.