Nga Mero Baze
Argumenti i fundit i Sali Berishës kundër rinisjes së negociatave për kufirin detar me Greqinë, është një ushtarak që quhet Artur Meçollari. Ish- kryeministri që nënshkroi në mënyrë jo transparente një pakt me Greqinë, që ja hodhi poshtë Gjykata Kushtetuese, që injoroi ish- presidentin e Republikës dhe gjithë detyrimet ligjore që burojnë nga komunikimi mes dy institucioneve për këtë rast, dhe që u dëshpërua më shumë se grekët kur rinisën bisdimet, tani ka kaluar në emra të përveçëm dhe mendon se rreziku për marrëveshjen është ky ushtaraku që quhet Artur Meçollari.
Nuk dua ta përflas ushtarakun në fjalë, se as e njoh dhe në këto raste as të hyn në punë biografia e tij, qoftë e lavdishme kundër Berishës, qoftë luajale me të. Por reagimi i tërbuar i ish- kryeministrit që i ngeli në dorë marrëveshja për detin, edhe për emrin e tij, tregon se Sali Berisha ka makth nga një marrëveshje e re për detin, dhe jo nga ajo çfarë po ndodh realisht. Ai në fillim kërkoi të mbrohej marrëveshja e tij, pastaj të mos bëhej fare marrëveshje por t’i drejtoheshim Gjykatës së Arbitrazhit, dhe tani që presidenti Ilir Meta është detyruar të futet në spiralen e komunikimit me qeverinë, po përpiqet ta bllokojë atë, duke u marrë dhe me emra personash në grupin negociator, a thua se Berishës ja hodhën ekspertët kur shiti detin, dhe nuk ishte i qartë se çfarë po bënte.
Ulja e stekës së tij tek emra të përveçëm, marrja me libër shtëpie, siç e ka zakon, me një ushtarak të zakonshëm, që i ka rënë në pjesë të jetë ekspert i palës shqiptare, është argumenti i radhës që ai gjen kundër bisedimeve të reja me Greqinë për detin, dhe tregues i faktit që ai nuk ka një argument shtetari kundër saj, por një argument telendari. Më së paku, e gjitha ngjan me një makth ish- pushtetari, që mund të damkoset për atë që ka bërë.
Se sikur ta marrësh seriozisht për një moment, e ti thuash “nëse vërtet është ky ushtaraku problem, po e ndërrojmë”, ai thjesht do ndërrojë argumente.
Qëndrimi i vërtetë i tij, është që kufiri të zgjidhet me Gjykatë Arbitrazhi dhe jo mes dy palëve, por kjo nuk është më në dorë të tij. Për më tepër që nënshkrimi i marrëveshjes detare, është dhe në axhendën e Bashkimit Europian për hapjen e negociatave me Shqipërinë, siç u paralajmërua dhe nga zoti Junker në Tiranë.
Tani e vetmja gjë që duhet të presim nesër, pasnesër dhe ditët në vijim, është të dëgjojmë prej Berishës me libër shtëpie dhe për ekspertët e tjerë të Komisionit dhe natyrisht ndonjë gjest të presidentit Meta, për t’ia plotësuar dëshirën për ndonjërin prej tyre. Është fiks njeriu që nuk di ç’të bëjë me të shkuarën e tij dhe si ta ndalë një histori të re që e damkos.
Ulja e stekës së tij në biografi ekspertësh dhe vëmendja e madhe e tij ndaj çdo detaji që po shoqëron procesin e ngritjes së grupit negociator, është radiografia më e mirë e makthit që ai ka, nga çfarë po ndodh. Është sy e vesh ndaj gjithçkaje që po ndodh, ndaj çdo fjalie, deklarate, çdo emri eksperti dhe deri ndaj çdokujt që e ka kundërshtuar dikur. Është e ngjashme me makthin e dikujt që përgjon “sy e vesh” mos i zbulohet krimi që ka bërë. Makth që në të vërtet vjen nga ajo çfarë ka ndodhur më 2009 dhe jo nga ajo që po ndodh më 2018.