Bedri Islami
Disa kohë më parë, në DITA, mes të tjerave kam shënuar edhe se njëri ndër institucionet më të besuara të shtetit shqiptar, sipas institucioneve europiane që monitorojnë Shqipërinë, është pa dyshim Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Më pas para pak ditëve, përsëri sipas këtyre institucioneve, saktësova se si do të mund të ishte ulur korrupsioni në Shipëri nëse përcaktimet, delegimet dhe kallëzimet penale të Kontrollit të Lartë të Shtetit do të ishin trajtuar si duhej, seriozisht dhe me përgjegjësi nga organi i akuzës, i cili vetëm në raste të pakta dhe ku nuk kishte asnjë interes, kishte bërë diçka.
Tani, në një emision televiziv është sjellë një e dhënë tjetër, që është po ashtu tronditëse: vetëm në 5 vitet e fundit prokuroria e shtetit, me porosi të veçantë të zotit Llalla, ose sipas oreksit special të prokurorëve , pa asnjë ndjenjë përgjegjësie, kishte mbyllur më shumë se 280 kallzime penale, për zyrtarë të mesëm dhe të lartë që kishte bërë Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Në shumësinë e rasteve kjo kishte ndodhur nga presioni i prokurorëve ndaj të denoncuarve për të paguar shuma të konsiderueshme për mbylljen dhe kyçjen e dosjeve.
Dhe u mbyllën më shumë se 280 dosje, të cilat po hapen.
Në Shqipëri mekanizat e kontrollit nuk kanë munguar asnjëherë. As ligjet. Ata nuk janë as më të mira dhe as më të këqia se sa ligjet e vendeve europerëndimore. Në fund të fundit, në shumicën e tyre ata janë hartuar, mbështetur dhe financuar pikërisht nga këto institucione.
Përralla e tanishme për ndërhyrjen “Soros” në përgatitjen e ligjeve, si u tjerr gjatë edhe për reformën në drejtësi, në fakt është veçse vazhdimi i anetemimit të një pale ndaj një pale tjetër, dhe kjo e gjitha bëhet më e fortë, sa herë që pushtetet ndërrojnë në Shtetet e Bashkuara.
Ligjet shqiptare kanë problemet e tyre. Nganjëherë më të mëdha nga nganjëherë më të vogla. Duke qenë një vend në zhvillim të vazhdueshëm ata kanë mbështetur këto ndryshime, herë i kanë përshpejtuar e në raste të veçanta edhe i kanë ngadalësuar.
Reforma në Drejtësi është njëri ndër ato raste madhore kur gjërat shpejtohen në të mbartë; ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 është rasti tjetër kur gjërat vonohen, ndryshimet bëhen më të thekshme dhe gravititeti i qeverisjes bëhet më i njëanshëm.
Por ligjet janë. Institucionet janë. Të ngritura me mundim, të ndryshuara, sipas shijeve qeveritare, por ekzistojnë dhe disa prej tyre e bëjnë si duhet punën e tyre. Nuk mund të thuash se e gjithë piramida shtetërore çalon dhe është gati të hidhet në erë.
Kontrolli i Lartë i Shtetit është njëri prej tyre. Në fakt edhe sot e kësaj dite është opozita e vërtetë e shtetit. Opozitë jo politike, por që qëmton, ashtu si e kanë përcaktuar ligjet përkatëse, dëmet që i janë bërë shtetit, humbjet, mangësitë, por edhe përvetësimet, në atë masë që ia lejon vetë përmasa e tyre. Nuk është një institucion akuzues, por që i hap rrugë institucionit të akuzës.
Ka qenë pikërisht Kontrolli i Lartë i shtetit, i cili, disa vite më parë, jo në këtë përmbajtje drejtuese, ka ngritur me forcë abuzimet e mëdha, qindra milionëshe në Rrugën e Kombit, pikërisht në kohën kur drejtues i Ministrisë përkatëse dhe nxitësi më i madh i “parimit”, përvetsues, “punë dhe të paguajmë” ishte shefi i tashëm i opozitës, Lulzim Basha.
Megjithëse çështje nuk është gjykuar asnjëherë dhe dosjet janë mbyllur , duke krijuar precedentin e rerzikshëm të “kalimit të afateve”, përsëri, të gjithë e besojnë se konkluzionet e Kontrollit të Lartë të Shtetit janë, jo vetëm të dëshmuara, por dëmet kanë qenë shumë më të mëdha se sa ajo që është dëshmuar nga shikimi i parë.
Duke biseduar ditët e fundit në Tiranë me njërin nga ndihmësit e afërt të kupolën drejtuese qeveritare në Shqipëri dhe ngriti pyetjen , përse të dhënat e arritura nga Kontrolli i Lartë i Shtetit nuk merren edhe aq fort për “zemër”, për më tepër lihen në harresë, u ndesha me përgjigjen befasuese se, atë institucion në akt e drejton opozita. Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit është zoti Bujar Leskaj, dikur funksionar i lartë i qeverisë Berisha 1.
Edhe në media të ndryshme apo në komente të hapura e kam ndeshur idenë se Kontrolli i Lartë i Shtetit është një strukturë opozitare dhe se ajo kontrollon me përparësi strukturat lokale apo qendrore që drejtohen nga socialistët.
Nuk i kam hyrë asnjëherë analizës se sa përqind e të kontrolluarve janë të PS dhe sa janë të opozitës. Është krejt e natyrshme që shumica të jenë të qeverisjes së sotme, jo vetëm se ata janë në pushtetin qendror, por edhe se institucionet lokale drejtohen në një masë të madhe prej tyre.
Në fakt, nëse do të ketë një “rendje” drejt kontrollit të qeverisjes në pushtet do të ishte fat i mirë për vetë atë në radhë të parë, sepse, duke qenë të kontrolluar do të mund të ndërtojnë më saktë, pa gabime, devijime , e, sidomos pa korrupsion, strukturën e tyre. Kjo ndodh edhe me institucionet qendrore.
Vazhdoj të kem mendimin se është mirë, krejt mirë, që institucionet kontrolluese të shtetit të drejtohen nga njerëz të opozitës, megjithëse, thënë të drejtën, nuk e di se sa zoti Bujar Leskaj i takon sot opozitës. Mbaj mend se ai më është shumë akuzuar si përkrahës i zotit Bamir Topi, disa vite më parë, se sa idhtar i politikës që hartohet e zbatohet në Shqup-in politik të tashëm.
Por e gjithë kjo nuk është e rëndësishme. Themelore është se institucionet e ngritura në Shqipëri, sipas përvojës më të mirë ndërkombëtare, sidomos europerëndimore, nuk janë bërë për t’u ndarë me thikë; kjo i takon shumicës dhe kjo tjetra, opozitës. Ato janë ngritur për të saktësuar ato probleme që përbëjnë edhe thelbin e qënies së tyre.
Përse prokuroria desh “varrosi” më shumë se 289 kallzime të Kontrollit të lartë të Shtetit?
Ka disa arsye për këtë. Nuk është vetëm përfitimi material që është arritur nga prokurorë të veçantë. Kjo ka qenë, e për disa kohë do të mbetet një praktikë pune e prokurorëve. E përkthyer në mall, kjo praktikë do të thotë vila moderne, toka të blera me çmime qesharake, ndërtesa të dyta, shkollime të shtrenjta për fëmijët e tyre, luks i shfrenuar, dhe mbi të gjitha, pasuri e fshehur ose në parajsa fiskale, ose në banka të afërta, si në Qipro, ose tek vjehrritë, ose nën tokë.
Por prokuroria jonë, deri më tani, ka qenë pesë e rëndësishme e politikës. Me vetdije ajo i ka shërbyer asaj. Ajo ka pasur një pakt, jo vetëm të heshtur me politikën, përmes së cilit kanë lëvizur lirisht padrejtësitë, vjedhjet dhe zhvatjet masive.
Organi i akuzës shpesh herë ka qenë më i ashpër me një hallexhi që ka devijuar linjën e ndriçimit në familjen e tij, se sa me atë që përmes një vjedhje të zakonshme, ka përfituar aq shumë të holla sa dëmi i shkaktuar do të ishte i njëjtë me ndriçimin e gjithë vitit për të gjithë lagjen.
Prokuroria e ka ndjekur politikën, por nuk e ka ndjekur institucionin paralel me të. Në këtë rast Kontrollin e Lartë të Shtetit apo edhe institucionet e tjera qendrore. Me dhjetra kallzime penale kanë bërë ministritë dhe institucione të tjera qendrore ndaj paraardhësve të tyre. Janë vënë në spikamë abuzime të shumta, lëshime abuzive të marramendshme, por të gjitha, ose thuajse të gjitha janë mbyllur pa dhënë asnjë shenjë jete.
Si duket, tani, ndoshta edhe me këmbënguljen e institucioneve jashtë shtetit shqiptar, po fryen një erë ndryshe. Dosjet e vjetra po shkunden nga pluhuri Llalla. Vetëm në qarkun e Elbasanit ato janë mbi 50 dosje të të tilla, që po dalin nga harresa. Ndoshta edhe 280 kallzimet penale të Kontrollit të Lartë të Shtetit do të dalin në dritë në shumicën e tyre.
Atëherë, korrupsioni do e ndjejë frikën dhe do të bëjë hapa pas.
Institucionet nuk janë krijuar për t’i nxjerrë sytë njëri- tjetrit. Është e njëjtë, edhe kur ata drejtohen nga qeveria, edhe kur drejtuesit e tyre janë nga opozita, ata janë hallka të rëndësishme të shtetit, që nuk e përjashtojnë njëra- tjetrën. Boll janë përpjekur t’ ja nxjerrin sytë njëra-tjetrës.
E keni harruar se si ish presidenti Nishani, në ditën e parë të qeverisë Rama i thirri në takim krerët e institucioneve që vareshin prej tij , nën thirrjen “ t’i qëndrojmë qeverisë Rama”, sikur ishte në luftë me të.
Ndoshta një ditë, edhe Prokuroria e Përgjithshme do të futet si duhet në këtë rrugë. E tashmja është më shprehëse se e djeshmja.
Dhe së fundi: vetëm një herë e kam takuar dhe kam biseduar gjatë me Kryetarin e Kontrollit të lartë të Shtetit. Në zyrën e tij. Dhe, më shumë kemi folur për letërsinë dhe artet , se sa për qëllimin e shkuarjes sime aty, që e ezaurua për pak minuta dhe që nuk kishte lidhje me dosjet e ngritura nga Institucioni i tij.