Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu vizitoi spitalin rajonal të Beratit, ku sot ka nisur punën një mjeke kardiologe nga Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza përmes programit të bonusit të ofruar nga ministria.
“Ne po zbatojmë 2 programe shumë të rëndësishme për të plotësuar mungesat e mjekëve specialistë në spitalet rajonale, patronazhimin dhe bonusin, për ta sjellë shërbimin aty ku janë nevojat. Jemi sot në Spitalin Rajonal të Beratit me dr. Eritinka Shuperken, e cila ka ardhur nga Qendra Spitalore “Nënë Tereza” për të punuar me kohë të plotë 24/7 në Spitalin Rajonal të Beratit përkundrejt pagesës së bonusit. Sigurisht kjo është një zgjidhje e qëndrueshme që zgjidh edhe urgjencat kardiologjike për gjithë këtë zonë”, u shpreh Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Manastirliu tha se plotësimi i boshllëqeve të krijuara për shkak të politikës së gabuar të bllokimit të specializimeve 4 vite më parë nuk mund të zgjidhen me një të rënë të lapsit por politikat incenivuese të qeverisë siç është bonusi deri në 2.5 milion lekë plus pagën, për të nxitur mjekët të punojnë në spitalet ku ka nevoja për specialistë, po japin rezultate.
“Paralelisht po fuqizojmë spitalet rajonale me investime në infrastrukturë dhe aparatura mjekësore, për të garantuar shërbim me cilësi sa më afër vendbanimit të qytetarëve”, u shpreh Ministrja Manastirliu. Spitali rajonal i Beratit kishte nevojë emergjente për mjekë kardiologë për të përballuar fluksin e urgjencave të zemrës.
“Pranova të vij nga QSUT në Berat pasi mendoj se është detyrim i çdo mjeku të japë shërbim ku kanë nevojë njerëzit por edhe bonusi i vendosur nga Ministria e Shëndetësisë është një pagesë e konsiderueshme”, tha mjekja kardiologe Eritinka Shuperka.
Për shefin e shërbimit të Urgjencës dr. Arben Konomin, ardhja e mjekes kardiologe do të zgjidhë shumë urgjenca që më parë dërgoheshin në Tiranë. Drejtori i spitalit rajonal të Beratit Eduart Bejko u shpreh se plotësimi i nevojave të spitalit do të vijojë shumë shpejt edhe me ardhjen e një mjeku specialist neurolog, specialitet për të cilin ky spital ka shumë nevojë.
Pas spitalit të Kukësit dhe Beratit, nevojat me mjekë specialistë kanë nisur të plotësohen edhe në spitalin rajonal të Dibrës dhe Korçës ku po japin shërbim mjekë anestezistë për të cilët këto spitale kishin nevojë emergjente. Paralelisht me programin e bonusit, po zbatohet programi i patronazhimit, ku mjekë nga spitalet universitare të Tiranës po japin shërbim periodikisht sipas një grafiku të caktuar për të plotësuar nevojat e spitaleve rajonale, deri në daljen e 300 mjekëve të parë specialistë në vitin 2019.
ma.me