Nga Mero Baze
Opozita ka një qëndrim konfuz ndaj Edi Ramës si kryeministër, për ta klasifikuar atë si “patriot” apo si “tradhëtar”. Janë së paku dy tema të nxehta në të cilat Edi Rama është i përfshirë, por opozita akoma nuk po gjen dot pozicionin për të goditur kryeministrin si “tradhëtar”.
E para është tema e Paktit Detar me Greqinë. Opozita po kërkon që praktikisht të mos ketë negociata me Greqinë, por kjo çështje t’i lihet arbitrazhit ndërkombëtar. Përfshirja e presidentit Meta në teknikalitetet e negociatave, synon po ashtu mos autorizimin e plotfuqishmërisë, dhe çuarjen e çështjes drejt Arbitrazhit ndërkombëtar. Arsyeja është e qartë. Një Pakt i ri me Greqinë, e paketuar një një axhendë stabilizuese të problemeve mes dy vendeve, i heq opozitës të vetmen aleancë të fortë që ka pasur kundër Edi Ramës deri tani, që ishte ajo me Greqinë. Ishte aq e fortë, sa Berisha tre muaj më pare, akuzoi Edi Ramën, se ka blerë me lekë vendimin e Gjykatës Kushtetuese që hodhi poshtë Marrëveshjen e tij me Greqinë më 2009.
Por në të njëjtën kohë që Berisha pretendon se Edi Rama ka paguar Gjykatën Kushtetuese për të hedhur poshtë një Marrëveshje të mirë sipas tij me Greqinë, del partnerja e tij në Marrëveshje, Dora Bakojanis dhe i kërkon kryeministrit Cipras, interpelancë pse po rinegocion Marrëveshjen me Shqipërinë, pasi sipas saj, Marrëveshja e saj me Berishën ka qenë shumë e mirë për Greqinë. Shtypi i opozitës duartroket dhe për këtë!
Tani ata duhet ta ndajnë, nëse janë me Bakojanin, apo me Berishën, pasi Bakojani po thotë që Marrëveshja e re po dëmton Greqinë! E kuptoj dhe faktin që ajo bën politikë si opozitare, por të paktën opozita jonë të jetë e qartë kujt i referohet, atyre që thonë ka fituar Greqia, apo atyre që thonë, që tani po fiton Shqipëria. Në këtë rast “patriotizëm”, nuk është të jesh me një nacionaliste greke, edhe pse Ramës i duhet shumë, por me Brukselin që e ka ulur në Marrëveshje me Ciprasin. Opozitës për çudi prap i pëlqen më shumë Bakojanis.
Sikleti i dytë i tyre është deklarata patetike e Edi Ramës për një president kombëtar. Deklarata padiskutim që është e gabuar, sidomos në probemin që i krijon Kosovës dhe vetë politikës së jashtme të Shqipërisë në raport me Perëndimin, kryesisht me BE e SHBA. Dhe për këtë Edi Rama ka marrë shuplaka dhe nga Brukseli dhe nga Uashingtoni. Nga të vetmit që nuk është sulmuar është opozita shqiptare. Ajo e ka parë vetëm si çështje të “një hajduti më shumë” siç e ka thënë Lulzim Basha.
Për ironi të fatit, opozita jonë është mërzitur më shumë nga fakti që BE dhe SHBA kanë sulmuar Ramën, se sa nga fakti që Rama ka bërë një deklaratë patetike. Në komentet e krerëve të opozitës dhe shtypit të tyre, deklaratat e BE dhe SHBA kundër Ramës, quhen të paguara nga Rama që të duket si “patriot”. Pra në koshiencën e tyre, sot patriotizëm është të jesh kundër SHBA dhe BE.
Në fakt sot i vetmi akt jo patriotik për shqiptarët, është të humbasin aleancën me Perëndimin dhe në këtë pikë, për fat, Edi Rama reflektoi me shpejtësinë që ikën euforia pas një dasme. Por nxitimi për tu mërzitur më shumë nga reagimi i BE dhe SHBA kundër Ramës, se sa nga vetë deklarata e Ramës, është një shpjegim i qartë, i asaj çfarë konsideorn opozita “patriotizëm” sot.
Për atë, Ata që sulmon SHBA dhe BE, janë patriotë. Dhe janë mërzitur që këtë javë u sulmua dhe Edi Rama nga Perëndimi për deklaratat e tj për president kombëtar. Duket se sulmet e Perëndimit, opozita i do vetëm si dekorata për Berishën, Bashën dhe Metën.
Goxha të sinqertë për atë çfarë mendojnë për Perëndimin, por e vërteta është se “patritozimi” i vetëm i Edi Ramës, është që ka bërë ti bashkojë opozitarët kundër Perëndimit. Këta ka së paku tre vjet që e bën rregullisht. Falë dhe budallallëkut të tyre!