Ish-Kryeministri dhe themeluesi i Partisë Demokratike, Aleksandër Meksi, është njohur dy ditë më parë me dosjen e përgatitur ndaj tij nga ish-Sigurimi i Shtetit.
(në foto: ish-kryeministri Meksi, duke tërhequr dosjen në Autoritetin e Dosjeve)
Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit ka vendosur t’i përgjigjet kërkesës që ish-Kryeministri Meksi kishte bërë prej disa muajsh në këtë institucion. Në një rrëfim për “Panorama”, ish-Kryeministri Meksi pohon se “leximi i dosjes që ish-Sigurimi i Shtetit ka përgatitur për të nuk është ndonjë kënaqësi e madhe”. Meksi thekson se ka qenë i ftohtë në leximin e dosjes së tij duke parë me kuriozitet detaje që më parë nuk i ka njohur në lidhje me të.
Për ish-Kryeministrin që drejtoi qeverinë e djathtë në periudhën 1992-1997, pa u zhvilluar procesi i lustracionit, hapja e dosjeve do të jetë një proces i papërfunduar. “Hapi i parë dhe më i rëndësishëm është lustracioni. Hapi i dytë është hapja e dosjeve për aq sa kanë mbajtur. Pa lustracion, hapja e dosjeve është një proces i papërfunduar”, deklaron Meksi. Sipas themeluesit të Partisë Demokratike, debatin për hapjen e dosjeve po e zhvillojnë njerëz që nuk e njohin periudhën e komunizmit në Shqipëri.
“Mjafton të shohësh moshën e popullsisë shqiptare. I bie që mbi 40-45% janë ata që njohin komunizmin dhe tranzicionin. Pjesa tjetër e popullsisë nuk e njeh periudhën e komunizmit. Problemi më i madh është që, pikërisht kjo pjesë e popullsisë që nuk e njeh atë periudhë është ajo që flet më shumë, të jep mend dhe të kërkon llogari. Pra, është më shumë një çështje nervore. Check-up duhet bërë për trutë dhe jo për zemrën mesa duket”, sqaron ish-Kryeministri për “Panorama”.
LUSTRACIONI
Aleksandër Meksi ka qenë një nga iniciatorët për hartimin e ligjit të lustracionit që nga koha kur ishte nënkryetar i Parlamentit dhe më pas në detyrën e Kryeministrit. Në debatin e zhvilluar në vitin 2014, kur në Kuvend kishte ardhur një projektligj për hapjen e dosjeve, Meksi theksoi se “kundër atij ligji mund të jenë vetëm mëkatarët e regjimit nga njëra anë dhe nga ana tjetër, ata që rrojnë duke i përdorur këta përmes shantazhit në dëm të Shqipërisë dhe të shqiptarëve”.
Tashmë që në Shqipëri është krijuar një Autoritet për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, ish Kryeministri insiston se duhet bërë lustracioni. Sipas Meksit, shqiptarët ranë në grackën e sigurimsave duke kërkuar me insistim hapjen e dosjeve.
“Duhet të bëhet lustracioni. Për fat të keq, shqiptarët ranë në grackën e sigurimsave dhe kërkuan hapjen e dosjeve. Me mendimin se do gjenin njerëzit e tyre të afërt në ato dosje. Respektohet më shumë një oficer sigurimi se sa një që ka shpëtuar për qime. Ca gjëra duhen thënë shqip. Këtu po luhet me lënien e shqiptarëve në dorë të ligjeve. Pra, këtu pranohet që një deputet të jetë spiun. Pranohet që një komandant kufiri të jetë spiun. Pranohet që një shef komisariati të jetë dikush që ka qenë operativ sigurimi. Është shumë më keq kur flasim për një operativ të sigurimit se sa për një spiun. Asnjë nuk e di që edhe kur të vinin në shtëpi, lekët që të sillnin një dhuratë ia jepte Sigurimi i Shtetit. Kontrolloheshin me teknikë operativë, nëse i thoshin ato gjëra siç i thoshte Sigurimi i Shtetit apo jo. Këta qenë skllevër të Sigurimit dhe këta të vetmit që ndëshkohen”, rrëfen, ish-Kryeministri Aleksandër Meksi.