Nga Afrim Krasniqi
E hënë, 12 shkurt. Media ka lajm të parë fitoren e një shqiptari në festivalin e Sanremos (Itali). Ai quhet Ermal Meta, i lindur në Fier, dhe i njohur për ne vetëm kur u bë i famshëm në Itali. Kështu ka ndodhur edhe me shqiptarë të tjerë të famshëm, përfshirë balerinët e njohur Kadiu e Shaqiri, apo talentet me origjinë nga Kosova Ora, Lipa, Rexha, etj. Janë shqiptarë, por falë talentit të tyre kanë arritur sukses në skenat perëndimore. Sapo bëhen të famshëm rrjetet sociale dhe ekranet televizive mbushen me dedikime e urime patriotike nga politikanët tanë, çdo fjalë e tyre krijon lajm për mediat, shpesh lajm edhe denigrues, dhe në tërësi krijohet ideja se janë të famshëm e të suksesshëm ngaqë janë shqiptarë! Ky keqkuptim dhe komedi tallëse duhet të marrë fund. Ata janë të talentuar, dhe janë të suksesshëm falë vetes së tyre, talentit dhe familjeve të tyre. Gjithçka tjetër është rastësi. Nuk ka sens gara folklorike mbi patriotizmin, sidomos nga politikanët, të cilët, “kanë meritën” se disa prej talenteve kanë ikur ose po vijojnë të ikin nga Shqipëria e Kosova. Suksese të tilla personale duhet të na bëjnë të reflektojmë, – çfarë po bëjmë me sistemin tonë arsimor, me qendrat rinore dhe shkollat artistike, me investimet në kulturë, sport dhe fusha të tjera të talentit, sa vlerësojmë të aftin dhe a kemi një sistem që i stimulon ata? Përgjigjet janë dëshpëruese dhe pikërisht këtu duhet të fillojë reagimi, reflektimi dhe nderimi i vërtetë ndaj atyre që ia arritën, falë kurajës e talentit, të jenë të suksesshëm dhe në na bëjnë krenarë për diçka për të cilën ne, natyrisht, nuk kemi asnjë meritë.
E marte, 13 shkurt. Shqipëria paguan sot rreth 850 politikanë (deputetë, ministra, kryetarë bashkie, zv/ministra, stafe politike, këshilltarë politikë, etj) me mesatare 600 euro/muaj dhe siç dihet, secili është i përkohshëm e se shumica shqiptare është kritike me produktin e tyre. Shqipëria paguan edhe 85 artistë me mesatare 300 euro/muaj dhe siç dihet ata janë të përjetshëm dhe se shumica shqiptare është vlerësuese për punën e tyre. Por në një vend ku partia njësohet me shtetin dhe pushteti njësohet me individin në krye të tij, arti, kultura, artisti, talenti, mendimi i lirë, e drejta dhe terma të tillë të demokracisë liberale janë demode dhe shpesh refuzohen. Në vitet 2000 pati një nismë për ta kthyer Teatrin Kombëtar në ndërtesë betoni me një kat teatër dhe ca kate qendra biznesi. Pati reagim, protestë dhe u anulua. Pas 18 vitesh projekti rikthehet me aktorë të njëjtë politikë, ndërkohë që mbi 50% e aktorëve të revoltës së parë nuk jetojnë më. Që Shqipëria nuk ka ndërtesë teatri të denjë dhe e meriton një, kjo është e vërtetë. Është e vërtetë gjithashtu se ndërtesat teatrore në shumicën e vendeve evropiane janë në qendra qyteti, me hapësira, me stil të veçantë ndërtimi, me funksione të gjithanshme dhe simbole për qytetin. Që këto pritshmëri nuk i përmbush as projekti i ri politik për teatrin edhe kjo është e vërtetë. Pyetja thelbësore është: cili është prioriteti ynë kulturor, teatri, kultura apo kullat dhe qendrat e biznesit? A ka sens që artisti, shkrimtari dhe krijuesi më i talentuar të paguhet më pak se rroga e bodigardit apo sekretarit personal të ministrit për artin e arsimin? Kam frikë se ata që marrin vendime mbështetin alternativën e dytë, ata që duan të parën janë pakicë, siç kanë qenë pakicë përgjatë një shekulli të gjithë brezat e elitave kulturore në Shqipëri. Dhe kur kultura & elita mbetet pakicë, gjithçka mund të ndodhë përveçse progres cilësor e demokraci funksionale, – dy cilësi që gjithashtu nuk i kemi dhe as i kishim gjatë shekullit shtetëror.
E mërkurë, 14 shkurt. Adriatik Llalla ka zënë vend në histori. Ai mund të ishte prokurori i parë që arreston politikanë të korruptuar, por jo. Ka zgjedhur të jetë prokurori i parë shqiptar në listën e zezë amerikane, pra një simbol korrupsioni dhe penalizmi perëndimor. Deklarata amerikane rreth tij ishte historike, sepse nuk lidhet me personin si emër apo prind, por me fenomenin që ai përfaqëson: elitën e korruptuar politike që tallet me shtetin e demokracinë, injoron ligjin dhe amniston krimet e korrupsionin në vendin që ka sfidë jetike përballjen e suksesshme me to. Mesazhi për Llallën nuk është vetëm për të, madje në hierarki ai është më poshtë sesa të tjerë e meritojnë, por është mesazh për ata që e zgjodhën, e mbështetën, e promovuan modelin e tij dhe që vijojnë ta ushqejnë si model, edhe pas ikjes së tij. Dhe nuk janë një apo dy palë politike, por të gjithë, pa përjashtim, me diferenca të vogla midis tyre. Dita kur SHBA të shpallë edhe listën e politikanëve të penalizuar për korrupsion do të jetë dita e parë e një rilindje të vërtetë, e shanseve për ndryshim dhe e shpresës se modeli korruptiv, arrogant, i inkriminuar dhe i pandëshkueshëm i politikanëve të djeshëm e të sotëm shqiptarë do të marrë fund. A mund të shpresojmë diçka të tillë? Në Bosnje, Kosovë, Ukrainë, Gjeorgji, Maqedoni, etj, kjo ka funksionuar. Përse jo në Shqipëri!?
E enjte, 15 shkurt. Parlamenti nuk ka lajm. Do të duhet të kishte lajme politike por në parlament ka kohë që nuk ka politikë. Ka grindje, batuta dhe akuza. Kaq. Lajmi i ditës është raporti i UEFA mbi korrupsionin në futbollin shqiptar. Në vitin e Skënderbeut rezulton se ekipi i Skënderbeut, (madje edhe në ndeshje me Kastriotin) ka trukuar ndeshje, rezultate dhe kampionate. Një aktivitet i dukshëm kriminal dhe mafioz. Nuk pres që UEFA të ndryshojë mendje, Skënderbeu është viktimë e suksesit të tij, pasi trukimi e tregu i ndeshjeve është një sport kombëtar në pothuajse shumicën e ekipeve dhe kampionateve të dekadave të fundit. Le të kujtojmë se vetëm në Shqipëri ka ndodhur që një ekip pasi të sigurojë titullin kampion të humbë 12 ndeshje radhazi. Ekipi nuk është në superiore, por bosi i ekipit është e vijon të jetë prezent kudo ku ka skandale financiare në Shqipëri, në media, në politikë, në lojërat e fatit, në tregun e naftës e kudo tjetër. Në një vend normal do të duhej që menjëherë pas raportit të UEFA Prokuroria të krijojë ekip hetimor dhe cilido i përshirë, politikan, biznesmen, gazetarë, sportist, punonjës, etj, të përballet me ligjin. Është një vepër penale shumë herë më e rëndë sesa edhe ata trafikantët e vegjël të drogës nëpër rrugët e Italisë e Zvicrës, është trafikim kriminal ndaj imazhit, shtetit, publikut, ligjit, simboleve dhe shoqërisë.
E premte 16 shkurt. Në fillim të javës bisedimet midis delegacionit të PE dhe Kuvendi ynë prodhuan një rezolute konsensuale. Secila palë, përfshirë opozita, kërkuan një datë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Në fundjavë kemi dy qëndrime të kundërta, – kryeministri shkoi në Kosovë për të fajësuar nga andej opozitën e vendit të tij për dështimin e procesit integrues në BE, kryetari i opozitës shkoi në Hungari për të fajësuar nga andej qeverinë e vendit të tij për dështimin e procesit integrues. Dy palët hodhën akuza të shumta, të cilat nëse merren seriozisht, nuk do të kishte sens hapja e bisedimeve për anëtarësim. Për fat, shumicën e deklaratave të tyre pakkush i merr seriozisht, sidomos në Perëndim. Ka një thënie kritike në Bruksel, – vetëm Shqipëria ka politikanë të njëjtë që prej 20 vitesh shkojnë aty duke sharë njëri tjetrin; për qeveritë opozita është e keqja e vendit, për opozitat qeveria është e keqja e vendit”. Kjo traditë deniguruese e një elite politike të formësuar në kohët e fletërrufeve të revolucionit kinez, duhet të marrë fund. Politikanëve tanë duhet tu mjaftojnë dëmet që na bëjnë këtu, – në shtëpitë, punët, rrugët, mjediset, malet, fushat e jetët tona, – pa qenë nevoja ta eksportojnë modelin në kancelaritë perëndimore, ku shumë më tepër prej tyre sesa prej grupeve kriminale vijojnë të na dëmtohet imazhi, emri, shtetësia, vlerat dhe identiteti.
E shtunë 17 shkurt. Kosova po feston 10 vjet shtet. Është çliruar 19 vjet më parë, por shtetësia erdhi 9 vjet më vonë. A duhet festuar? Po. Por raste të tilla meritojnë të jenë më shumë momente reflektimi ndaj bilancit, gabimeve dhe sfidave të ardhshme. Kosova e vitit 1999 kur nuk kishte asnjë institucion në këmbë kishte shumë më tepër idealizëm sesa sot. Politikanët e vitit 2000 ishin shumë më demokratë dhe idealistë sesa ata sot. Kosova nuk mësoi nga gabimet e Tiranës, por i përsëriti ato dhe për pasojë, kemi sot rreth 8% të popullsisë që ka shumë më tepër pasuri sesa 92% e pjesës tjetër, ku bëjnë pjesë 99% e atyre që luftuan me armë për Kosovën. Koalicioni i “të fortëve” vijon të jetë në pushtet, niveli i korrupsionit është i lartë, bashkësia perëndimore është e zhgënjyer me aventurat e tyre kundër hetimeve dhe rezultateve konkrete anti-korrupsion, dhe se kosovarët ende janë peng i BE (liberalizimi dhe 5 vendet që nuk e njohin) dhe i gjeopolitikës (prioriteti i afrimit të Serbisë për shkak të ndikimit alternativ rus). Po marrëdhëniet Shqipëri – Kosovë? Mjaftuan 3 rreshta në FB nga kryeministri Haradinaj ndaj Ramës për të kuptuar thelbin e tyre, – të personalizuara, emocionale, të motivuara nga interesa personale dhe dukshëm jo strategjike dhe jo efektive. Festimet patën edhe një risi: Presidenti Thaçi shpalli një listë të gjatë me dekorata. Nga Shqipëria ishin të gjithë ata që na kanë qeverisur, – që nga ata që lobonin për Pavarësinë dhe deri tek ata që refuzonin pavarësinë, ata që kërkonin aleatë në Kosovë e SHBA por edhe ata që kërkonin aleatë tek Millosheviçi. Ishin edhe ca gazetarë, ndonjë prej të cilëve as nuk i njoh emrat e qyteteve të Kosovës, por që plotësojnë kriterin informal, – se miqtë e tij personalë Presidenti Thaçi i sheh edhe si luftëtarë të Pavarësisë! Dhe fjala vjen, listës i mungonin edhe ata 28 qytetarë të Shqipërisë që dhanë jetën në luftën e Kosovës! Dekoratat janë letra, janë subjektive, batutat në FB shkruhen e fshihen, por ajo që mbetet është nevoja që Kosova ta përdorë 10 vjetorin e vet shtetëror jo për medalje e shampanjë por për reflektim dhe projektim real të 10,20,50 viteve të tjera, të cilat, siç koha po tregon, do të jenë një sfidë shumë më e vështirë sesa kapaciteti i elitave të saj të sotme politike për t’i përballuar.