Ata e pëlqejnë ushqimin e tyre në Modena, një qytet në jug të lumit Po që i dha botës Ferrari-n, Luciano Pavarotti-n dhe një restorant “Osteria Francescana”, që u votua vitin e kaluar si më i miri në Europë. Teksa njerëzit ishin të pranishëm në një darkë bamirësie për mbledhjen e fondeve në periferi të San Damasos, një aromë e mrekullueshme mbushi sallën sportive ku ajo po shërbehej. Dhe në mesin e të gjitha këtyre aromave, ishte edhe shija e ëmbël e hakmarrjes.
Darka ishte organizuar për një parti të re, Liberi e Uguali (Të Lirë dhe të Barabartë, ose LeU), e themeluar vitin e kaluar nga politikanët që kishin braktisur qeverinë e Partisë Demokratike (PD) të qendrës së majtë të Matteo Renzi.
Disa nga rebelët kundërshtuan politikat e tij miqësore ndaj biznesit, të tjerë u ankuan për margjinalizimin e pamëshirshëm të partisë së vjetër, duke përfshirë edhe folësin kryesor të natës, Pier Luigi Bersani, i cili udhëhoqi Partinë Demokratike deri në vitin 2013.
Z. Bersani këmbëngul se dallimet ndërmjet tij dhe z. Renzi janë kryesisht ndryshime politike. “Ai e ka marrë PD-në, PD-në time, e ka çrrënjosur atë dhe e ka vendosur diku tjetër”, u shpreh ai. PD-ja ka ndjekur kryesisht gjurmët e Partisë Komuniste Italiane të dikurshme (PCI), e cila për gati 40 vjet ishte Partia Kryesore e opozitës.
Një shkrirje dhe një bashkim midis tyre, si ai ndërmjet z. Bersani, i cili i përkiste Partisë Komuniste Italiane dhe një grupi të vogël kristian-demokratësh progresivë, duke përfshirë edhe z. Renzi, krijuan atë që sot njihet si Partia Demokratike. Duke u vetëshpallur si njeriu shkatërrimtar, z. Renzi ka lënë në hije të gjitha degët e tjera të PD-së, por veçanërisht ish-komunistët.
Lista e kandidatëve për zgjedhjet e përgjithshme të Italisë që ai e bëri publike më 27 janar tregoi se ai kishte lënë mënjanë rreth 80% të posteve që mund të fitoheshin nga ndjekësit e tij. Si z. Bersani ashtu edhe zyrtarë të lartë të PD (edhe pse jo publikisht) bien dakord me faktin se qëllimi i vërtetë i pasuesit të tij pas votimit të 4 marsit është një koalicion me partinë konservatore Forza Italia të Silvio Berlusconi-t, duke qenë se siç duket, asnjë parti apo aleancë nuk do të fitojë një shumicë të drejtpërdrejtë.
Por probabiliteti që z. Renzi të dalë fitimtar pas votimit, dhe ndoshta edhe të arrijë të mbijetojë duke qenë sërish kreu i kësaj partie, varet nga performanca e PD-së dhe fatkeqësisht gjasat nuk janë të mira. Sipas disa sondazheve të fundit, është vënë re një rënie e vazhdueshme e mbështetjes së saj nga një nivel prej më shumë se 40% mbështetësish në mesin e vitit 2014 në rreth 23%. Ndarja e partisë LeU, nuk shërbeu thuajse për asgjë.
Rënia e PD-së duket një shpërblim i çuditshëm për partnerin dominues, në një qeveri që kryeson një ringjallje (modeste) ekonomike pas viteve të krizës. PBB-ja e Italisë u rrit me 1.7% në tremujorin e tretë, e nxitur kryesisht nga rritja e eksporteve dhe veçanërisht nga rritja e kërkesës së brendshme dhe investimeve të huaja.
Sipas z. Renzi, i cili dha dorëheqjen si kryeministër vitin e kaluar për t’u pasuar nga Paolo Gentiloni, u miratua një reformë e punës, e cila hapi rreth një milion vende pune (edhe pse shumë prej tyre përfshijnë kontrata afatshkurtra).
Një zyrtar i lartë i PD-së ka veçuar disa shkaqe të ndryshme të rënies së partisë. Si më kryesorin ka cilësuar ekzistencën e një perceptimi se ajo nuk është në gjendje të kontrollojë emigracionin dhe ndarjen në radhët e tij, e cila vjen për shkak të mënyrës autokratike të ndjekur nga z. Renzi dhe politikës në vend.
Z. Bersani thekson se partia LeU mund të arrijë të marrë dyfishin e rezultateve të arritura tashmë, pra dyfishin e 6-7% të votave. Por ai mohon faktin se PD-së po u vidhen vota. Ai thotë me tej se mesazhi i tij nuk do t’u pëlqejë mbështetësve të partisë “Lëvizja Pesë Yje” dhe votuesve të cilët, në çdo rast, do të abstenonin. Por ai ka pranuar se po lobon edhe për të marrë mbështetjen e një grupi të tretë ku ndodhen “të gjithë njerëzit që ia kanë dhënë votën e tyre PD-së, pa qenë pothuajse fare të bindur”.
Dhe si këta të fundit duket se kishte shumë në sallën që u mbajt darka e bamirësisë për mbledhjen e fondeve në San Damaso.
“Z. Renzi nuk dëgjon askënd”, tha Tiziana Bassoli, një shtëpiake. “Ai duhet të kuptojë se ne nuk do të rrimë të ulur këtu dhe ta dëgjojmë atë”, tha ajo më tej. Në vende si Modena, ku e majta ka qenë vazhdimisht në pushtet që prej vitit 1946, mosmarrëveshjet që kanë përçarë të majtën, kanë ndikuar duke ndarë familje të tëra, duke prishur miqësi dhe duke e çuar Davide Faven, sekretarin provincial të PD-së, të bjerë në depresion.
Rajoni i Emilia-Romagna-s u rendit sërish si një ndër më të varfrit e Europës, thekson ai.
Gjyshi i z. Fava, i cili dikur ka qenë i lumtur dhe mjaftohej me “një vakt në ditë”, u bashkua me tregtarë të tjerë për të formuar një shoqatë që u dha atyre kontroll mbi furnizimet e tyre. Sot, ajo është një ndër rrjetet më të mëdha të supermarketit në botë.
“Për mua ishte shumë e vështirë të kuptoja arsyen që fshihej pas kësaj ndarjeje, thotë ai. – Ne jemi ndarë për çështje të parëndësishme, të cilat nuk kanë fare kuptim”.
Ai ironizon edhe pretendimin se partia Leu, nuk do të dëmtojë demokratët. “Në situatën aktuale, humbja e 1% të votave është e dëmshme dhe frika ime më e madhe është se kjo gjë do t’i japë përparësi sërish partisë, e cila tashmë e ka treguar veten se ka qenë e paaftë për të qeverisur Italinë”, tha ai më tej.