Sikur korrupsioni të ishte shmangur në 70 për qind të rasteve, sot do të kishte në Shqipëri 230 mijë vende pune më shumë. Korrupsioni i ka kushtuar Shqipërisë buxhetin e shtatë viteve të marrë sëbashku. Nëse gjysma e konkluzioneve, vendimeve, sugjerimeve dhe delegimeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit do të gjenin rrugëzgjidhjen e tyre në drejtësi, korrupsioni do të ishte ulur mbi 45 për qind. Këto janë disa nga konkluzionet e Institucioneve Europiane që monitorojnë Shqipërinë.
Nga Bedri Islami/
Ish-kryeprokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, pasi kërkoi të mos jetë më pjesë e sistemit tonë të drejtësisë, megjithëse për të desh u ndez parlamenti, jo rastësisht e jo papritur hyri në Listën e Zezë të Departamentit të Shtetit Amerikan, duke përmbysur njëkohësisht edhe alibinë e opozitës se e gjithë mëria amerikane ndaj tij ishte në fakt vetëm e Donald Lu-së.
Familjarisht, si nuk ka ndodhur kurrë, ai nuk do të mund të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara, ndoshta më pas edhe drejt Europës, duke qenë shembulli i parë i një figure të lartë zyrtare që merr pas vetes një dënim dhe shenjë të tillë.
Duke kërkuar të mos jetë nën shqyrtimin e Vettingut, ai bëri përpjekjen e tij për të dalë nga loja pa humbje të ndjeshme dhe për të gjetur kohën tjetër e riardhjes së tij, qoftë përmes politikës, qoftë përmes një gjetjeje tjetër. Shanset e tij ranë marramendshëm shpejt. Ai do të mbetet edhe më tej i dëbuari i parë, që mund të marrë me vete edhe të tjerë, si ai guri që fillon e rrokulliset.
Por, jo gjithçka është vetëm tek një emër. Qoftë edhe prokurori i përgjithshëm i Shqipërisë. Është shumë më tepër se kaq. Pas saj janë katër ulërima të sistemit tonë dhe të gjendjes së tashme, që ose duhen zgjidhur, ose do të ketë gllabërim të të gjithë pushteteve.
Ulërima e parë: Rasti Llalla tregoi se drejtësia jonë është e prishur nga maja dhe se, denoncimi i Departamentit të Shtetit ndaj prokurorit të përgjithshëm nuk është asgjë më pak se sa denoncimi i të gjithë këtij sistemi.
Në sistemin e drejtësisë ka depërtuar njëkohësisht mafia politike dhe oligarkia e drejtësisë. Llalla ishte emërimi i drejtpërdrejtë i Sali Berishës, pasi me forcën e kartonit dhe manipulimin e ligjit, dëboi Ina Ramën, që po ashtu, e kishte vendosur vetë dhe që i doli jashtë kontrollit. Politika, duke ndërtuar kupolën e saj mafioze, shumë shpejt ndërtoi një oligarki të sistemit të drejtësisë, që mori nën mbrojtje krimin politik dhe financiar, duke përfituar edhe vetë njëkohësisht. Oligarkë të kësaj kupole janë sot në Këshillin e Lartë aktual të Drejtësisë dhe rezistenca ndaj ligjit fillon që aty. Sqetullat e kësaj oligarkie janë ende të pranishme. Mjafton vetëm mbledhja e fundit e këtij Këshilli për të patur një vizion më të qartë se ku kanë përfunduar tentakulat e oktopodit mafioz të drejtësisë.
Fakti që njëri nga anëtarët e Gjykatës Kushtetuese i shmanget vetingut, që prokurori i përgjithshëm i deri pak javëve kërkon të mos jetë pjesë e shqyrtimit të dosjes së tij, që oligarkë të llojit gjingjonër nuk japin llogari për milionat dhe gjyqësia i ruan ato, për të ruajtur veten, janë më se të mjaftueshëm për të dëshmuar se ku është sot ky sistem. Për të zënë vend në sistemin e drejtësisë, deri para pak muajve, pagesa ishte rritur deri në 200 mijë euro, në rastin më fatlum dhe shumë më tepër në një rast të zakonshëm. Të gjitha çështjet më të bujshme janë mbyllur nga ky sistem i prapshtë, që deri tani nuk ka pasur asnjë lloj frike nga ndëshkimi.
Ulërima e dytë: Në rastin e largimit apo mos largimit të zotit Llalla nga pushteti i tij prokurorial opozita iu përvesh pushtetit me të gjithë forcat e saj. Më mirë se vetë ajo askush nuk e ka ditur thellësinë e zhytjes së drejtësisë, në këtë rast të kryeprokurorit në batakun e korrupsionit, qoftë pasiv, qoftë aktiv. E kanë ditur, sepse e kanë vënë vetë aty dhe se, në një përqindje dërmuese sistemi i drejtësisë është përcaktuar prej tyre.
Do të thotë se opozita është e gatshme të mbrojë çdo të keqe që është në themel të shtetit të së drejtës, vetëm që ajo të vegjetojë edhe më tej, duke pritur ditën e ardhjes në pushtet.
Opozita sot, jam i bindur, se e ka harruar Adriatik Llallën dhe një ditë do të jetë e gatshme ta shesë atë. Ai ishte një gur i vendosur aty, në atë post, për të bërë një pjesë të detyrës që i ishte deleguar dhe pikë.
Kur u synua heqja e tij opozita sulmoi me gjithçka kishte në duar. Ajo u përpoq të bënte një puç kushtetues dhe dhunim të strukturave të shtetit, duke synuar përmbysjen. Më tepër se frikë nga institucionet shqiptare opozita ndjeu frikën e strukturave jashtë shtetit shqiptar. Është ndër ato rastet e veçanta që, ndërsa gjithë muajin kërcënon me përmbysje dhe tërheqje zvarrë, në ditën e fundit, me dashuri dhe qetësi bën thirrje për të shkuar rehat – rehat në punën e tyre.
Opozita, duke e ditur shembullin e saj, që, kur ishte në pushtet, synonte të dërgonte drejt gjyqit opozitën, tani mendon se është koha e saj të përgjigjet. Zullumet e viteve të fundit, por jo vetëm të fundit, janë të shumta. Që nga familja ish kryeministrore e deri tek ish policë që kanë në zotërim restorante e resurse luksoze. Disa prej tyre u bënë edhe deputetë.
Edhe më tej opozita do të synojë t’i heqë gurin e parë sistemit të drejtësisë. Loja ka filluar me kërkesën për largimin e zonjës Arta Marku. Figura e saj po bëhet makthi i opozitës, dhe, jam i bindur, se nuk do të jetë e largët dita kur do të bëhet edhe makthi i një pjese të shumicës qeverisëse.
Me zonjën Marku do të ndodhë si në atë shprehjen e njohur të Edi Ramës, “prisni, se nuk keni parë gjë akoma”.
Tani për tani ajo është ndër njerëzit më të besuar të shteteve partnere në luftën kundër krimit e korrupsionit. Të heqësh sot atë, përmes kërcënimeve apo lojërave me ligjet, është njëlloj sikur të kërkosh dëbimin e strukturave që e mbështesin.
Ulërima e tretë: Po bëhen gati pesë vite që qeveris një pjesë e së majtës, socialistët me simbolin e tyre të rilindjes. Në pesë vite është bërë pak ose aspak për reformimin e sistemit të drejtësisë dhe krijimin e domosdoshëm të klimës së ndëshkimit, qoftë të së djeshmes, qoftë të tashëm.
Fjetja kaq e gjatë e saj nuk mund të jetë vetëm si shkak i zgjatjes së reformës në drejtësi. Mazhoranca e vitit 2013 erdhi në pushtet përmes sloganit të ndëshkimit të krimit. Katër vitet e para, edhe me atë strukturë të çoroditur të drejtësisë që ishte, dosjet e fjetura në departamente, mund të zgjoheshin dhe, në mos përmes drejtësisë, duhej të bëheshin publike.
Në katër vite asnjëra nga dosjet e mafias politike dhe oligarkisë së drejtësisë nuk morën rrugën e tyre. Ndoshta edhe nga vazhdimi i lojës së vjetër politike, sipas së cilws: kur jam në opozitë do të denoncoj, por kur të jem në pushtet do të bëj një amnisti të heshtur.
Në fakt, alternimi i pushtetit nuk ka sjellë asnjëherë ndëshkimin e krimit, qoftë politik, njerëzor apo financiar.
Çështje të mëdha, të nxehta deri në përvëlim, kanë fjetur deri tani. Nëse kanë filluar të zgjohen, më shumë se sa meritë e atyre që qeverisin, janë nga ndryshimi i tanishëm në kupolën drejtuese të prokurorisë së shtetit. Numërimi i çështjeve të tilla të merr shumë kohë, kaq të shumta janë.
Droja është se mos, tani për tani, politika po e lë zonjën Marku të sjell në vëmendje gjërat e nxehta, duke i dhënë, mund të themi një lodër argëtimi, e më pas, t’ia heqë nga dora, duke e zbuar edhe atë vetë.
Nëse shumica qeverisëse ende do të shkojë me mendimin e përkohshmërisë dhe faljes së ndërsjelltë, në ditën e pendimit të saj, do të jetë tepër e vonuar.
Ulërima e katërt: Koha e humbur është drejt katastrofës. Gremina ku ka rënë sistemi i drejtësisë tani është aq e thellë, sa që nuk i duhet fundi. Të dhënat e para të Vetingut do të tregojnë se sa pak vetë e meritojnë të jenë në atë sistem.
Tani është koha e fundit.
Duhet nisur fort, pa kohë të humbur dhe pa droje se mund të ndodhë një përmbysje në reformën në drejtësi.
Nëse do të më lejohej do i sugjeroja zonjës Marku një fillesë, e cila prek majën e piramidës, por që do të trondisë jo pak nga themelet e ngrehinës së shtetit, të djeshëm e të sotëm.
Nisjani nga vilat e qeveritarëve. Si janë ndërtuar, kush i ka ndërtuar, sa kanë kushtuar tullat apo betoni, sa është paguar, me çfarë çmimi, si është bërë akomodimi i tyre, me cilin financim janë bërë, si ka qenë raporti i të ardhurave në vite dhe sa ka qenë e mundur ndërtimi i tyre me pagat që kanë marrë si deputetë, shefa partish, artistë apo sekserë. Pastaj me vilat dhe apartamentet e të afërmve të tyre, në të njëjtën rrugë.
E vetme nuk do mund ta bëni dot dhe e di se bashkë me ju, duhet transformuar edhe sistemi ynë i financave, por fillojeni një herë.
Do ju sugjeroja tri vila: të Edi Ramës, aty ku është ndërtuar, të Ilir Metës në Lalëz dhe të Sali Berishës në shumësinë e tyre.
Pastaj, njerëzit do ju mbështesin edhe më shumë..(DITA)