Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Sigmar Gabriel, deklaroi në Prishtinë se, Serbia duhet të pranojë Pavarësinë e Kosovës në mënyrë që të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.
Ai i bëri këto komente pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, në fillim të vizitës dyditëshe në Kosovë.
Ministri Gabriel qëndroi në Prishtinë pas vizitës në Beograd, ku siç tha, ka transmetuar qëndrimet e vendit të tij për proceset integruese për Ballkanin Perëndimor.
“Sot në Beograd e thashë po ashtu që nëse Serbia dëshiron të ecë drejt Bashkimit Evropian, sundimi i ligjit është kusht parësor, por, natyrisht edhe pranimi i pavarësisë së Kosovës. Ku është kushti qendror për të ecur drejt Evropës”, tha Gabriel.
Ai tha se vendi i tij do të ndihmojë Kosovën në përpjekjet për të siguruar njohjen e pesë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë.
Kosova shpalli Pavarësinë e saj dhjetë vjet më parë dhe është njohur nga 115 vende të botës. Pavarësia e saj kundërshtohet nga Serbia e cila është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën si kusht për integrimin në strukturat evropiane.
a.ç