Kreu i Grupit Parlamentar i Partisë Socialiste, Taulant Balla, reagoi pas gjyqit me djalin e ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berishën për çështjen CEZ.
Balla tha se nëse kjo çështje do të hetohet si duhet do të ketë arrestime në nivele të larta dhe shumë shpejt do të dalin emra të tjerë të implikuar.
“Duke qenë se kjo çështje është për hetim në Prokurori, ky zotëria, babai i tij, edhe Kryemadhi edhe Basha janë për hetim në Prokurori për këtë çështje. Nëse kjo çështje shkon deri në fund, ju garantoj që peshqit e mëdhenj në atë rrjetë do të jenë të shumtë,” tha Balla.
“Jam këtu në respekt të të gjitha gjyqeve për shpifje, trillime, u bërë rreth 15 me familjen Berisha, babai, vajza, dhëndri, djali. Do jem në respekt të gjykatës së vendit tim. Unë jam i gatshëm që kjo çështje të gjykohet një herë më parë. Nuk dua të bëj sot asnjë koment për çështjen CEZ, kjo dosje me vendim të Kuvendit po hetohet në Prokurori. Personi i cili është kallëzuar nga Kuvendi për veprën penale të korrupsionit, së bashku me babain e tij dhe zyrtarë të lartë, tha se nuk ka dijeni. Unë i bëj thirrje prokurorisë ta hetojë këtë dosje me seriozitetin më të madh,” tha mes të tjerash kreu i grupit te PS.
a.ç