Kosova sot është ‘mbipopulluar’ nga ndërkombëtarë me ndikim. Ka ardhur për vizitë Kryeministri i Malit të Zi, Dusko Markoviq, kryediplmomati gjerman Sigmar Gabriel dhe një delegacion nga Bashkimi Evropian. Të gjithë këta mund të luajnë rol që çështja e demarkacionit të shkojë drejt epilogut.
E përbashkëta e secilit takim që do të zhvillohet sot mes krerëve shtetërorë dhe zyrtarëve të huaj është çështja e marrëveshje së kufirit me Malin e Zi që po e mban peng vendin tash e 3 vjet.
Shumë vizita zyrtare në Kosovë përkuan që të zhvilloheshin pikërisht sot dhe nesër. Nisur nga vizita e kryeministrit të Malit të Zi, Dushko Markoviq, i cili erdhi sot në Kosovë si një fqinj që tashmë e ka ratifikuar marrëveshjen për kufirin e cila po e mban peng Kosovën për vizat
Ndërkombëtarët ndërkaq edhe më tutje në çdo takim me kryeministrin Haradinaj, i kërkojnë ratifikimin e Demarkacionit.
Një delegacion i kryesuar nga Drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim i Komisionit Evropian, Christian Danielsson, dhe Drejtori i Përgjithshëm të Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm, Thomas Mayr Harting, po qëndron në Kosovë. Gjithashtu në Prishtinë ka ardhur edhe krydiplomati gjerman, Sigmar Gabriel.
Të gjithë këta mund ta vendosin Haradinajn me shpatulla pas muri për ratifikimin e Demarkacionit, çështja, për të cilën edhe ashtu ish-refuzuesit e mëdhenj të marrëveshjes, tani në krye të Qeverisë, janë zbutur.
Gazeta Express ka pyetur sot në Zyrën e Kryeministrit, nëse të gjitha palët do të zhvillojnë takim të përbashkët, por diçka e tillë është mohuar.
Derisa zyrtarisht mohet çfarëdo takimi i përbashkët, në takimet e kryeministrit veçmas me secilin pritet që kryetemë të jetë Demarkacionit.
Markoviqit, zv.kryeministrit Fatmir Limaj, i cili edhe e priti në Aeroportin e Prishtinës, do t’ia shpalosë idenë e tij rreth Demarkacionit, në mënyrë që të gjitha palët të pajtohen. Për të njëjtën ide, Limaj kishte qëndruar në Podgoricë, ndërsa tani pritet që rreth kësaj të flasin edhe dy kryeministrat.
Versioni që brenda Kosovës pritet të arrijë konsensus politik përfshin mundësinë e shqyrtimit të mëtejmë të Demarkacionit, aty ku ka hapësirë, edhe pasi të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës. Deri më tani kjo numërohet të jetë mundësia e rënies në fund të historisë së Demarkacionit ose edhe një justifikim e qeveritarëve, që gjatë kohës kur përbënin opozitën, refuzonin marrëveshjen e demarkimit të kufirit me Malin e Zi, që ishte nënshkruar në vitin 2015. /Express/