Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, e kishte paralajmëruar Cristiano Ronaldo se nëse do ta braktiste gjigantin spanjoll për Paris Saint-Germainin, atëherë ai do ta blinte Lionel Messin për 200 milionë euro, sipas revistës franceze të futbollit “France Football”.
Revista e mirënjohur franceze raporton se, në një mesazh sekret telefonik dërguar një miku më 2012, Ronaldo kishte zbuluar se dëshironte të transferohej në PSG në Ligë 1 të Francës sepse besonte se aty do t’iu rriteshin mundësitë për ta fituar Topin e Artë, transmeton Express.
“Dua të shkoj në Paris. Atje do të më duan vërtet. Francezët do të jenë shumë të lumtur që luaj në kampionatin e tyre saqë mediat do të bëjnë fushatë në favorin tim për ta fituar Topin e Artë”, kishte thënë Ronaldo në mesazhin e tij dërguar një miku.
Më pas, superylli portugez e kishte kërkuar një takim me Perezin për t’i kërkuar ta lejojë të largohet drejt Francës.
Por, Perez e kishte paralajmëruar Ronaldon se nëse do ta gjente një klub që paguan 200 milionë euro për të, atëherë ai do ta shiste dhe me ato para do ta aktivizonte klauzolën e atëhershme të Messit për ta blerë argjentinasin si zëvendësues të portugezit, përgatiti “Express”. (b.an)