Mendime për një shkrim
Me një titull manipulativ, “Lëreni Dritëronë të pushojë” , botuar ditën e sotme , autori Ndue Dedaj i afrohet lexuesit si shenjtor .
Ditët që shkrimtari u nda nga jeta , një vit më parë, titull i tillë vihej re nëpër faqe gazetash për të mbrojtur emrin e sulmuar nga nihilistët e snobët( por edhe cmirëzinjtë) , të cilët kishin pritur pikërisht atë ditë për të jetuar “ëndrrën e tyre të përdhosjes”. Zhurmonin sulmuesit e mbrojtësit dhe harronin që poeti i kishte menduar në gjallje të tij fushëbetejat e ziliqarëve dhe kishte servirur vargje për mbrojtjen e tij .
E ndërsa shprehja “Lëreni të prehet i qetë” plot një vit më parë u drejtohej kundërshtarëve , sot kjo shprehje u drejtohet dashamirësve , të afërmëve , të dashurve , lexuesve , atyre për të cilët arti i shkrimtarit është ushqim shpirtëror nē kohën e sotme të Balilajve e Habilajve, apo siç e quan vetë Dritëroi në poezinë me të njëjtin titull , “Në kohēn e Mirit të Xhikes”.
E ka lexuar autori i shkrimit poezinë “Në kohën e Mirit të Xhikes”?
“Jetova në kohën e Mirit të Xhikes,
Në vitet me dert pleqërie,
Këtu në pallatin e Rrugës së Dibrës,
Me gruan e dashur Sadije ,
Jetova në kohën e Mirit të Xhikes.
Dhe çuditërisht i tërbuar bëj zhurmë,
Më gërryen lakmia me ankthin e frikës
Se jam infektuar dhe unë
Nga koha e Mirit të Xhikes,
Dhe çuditërisht i tërbuar bëj zhurmë.”
Në vitin 1998 e shkruar kjo poezi aq filozofike për shtrirjen e së keqes në një shoqëri të kriminalizuar .
Autori Ndue Dedaj , vetë krijues, poet , publicist , historian letërsie , është mjaft i shqetësuar për shkrimet kushtuar emrit Dritëro Agolli në mediat serioze , pasi sipas tij është e panevojshme të publikohet “një e pathënë” e shkrimtarit ( paçka se kjo ” e pathënë” do t’i shërbejë një biografi apo jetëshkruesi për një libër apo një historiani të letërsisë për faktet jetësore tē shkrimtarit ).
Por , nuk është e nevojshme të shkruhet , pasi “njerëzorja” apo çdo emocion njerëzor në këtë shoqërinë tonë të sotme nuk ka nevojë të mbushin disa faqe gazetash ;
“Teprim me gjeste mirëdashëse”-e quan Ndue Dedaj mbjelljen e 20 pemëve dhe hedhjen e plisave nga Menkulasi ( një gjest shumë simbolik ) kryer nga miq e dashamirës të Dritëroit të madh . Ndërkohë që buste , emërtime rrugësh e institucionesh , me emra të panjohur apo qoftë edhe të njohur , do të mund të pranoheshin heshturazi e pa komente .
Është shumë e vërtetë që vepra e madhe letrare e Dritëroit tejkalon çdo zë ( lëvdues apo injorues), por nuk përbën kjo një arsye për të mos respektuar data e përkujtimore , për të mos marrë shkas nga këto data për të rrëfyer ndodhi , kujtime , “të pathëna” të vetë shkrimtarit .
Në shoqërinë e sotme ku mungojnë institucione të mirëfillta kulturore , ku mezor mbijetojnë Akademia e Shkencave apo Institute te letersise apo albanologjisë, ku mendimi kritik letrar ndodh shpesh të udhëhiqet nga shabllone të politizuara, ku shitet e blihet gjithćka , ku korruptohet e manipulohet opinioni , vullneti, dëshira , besimi , mirëbesimi ; ku komisione vlerësuese të veprave letrare nuk paraprihen nga hierarkia e vlerave të njëmendta por nga afera korruptive përzgjedhëse , ku drita e “të vërtetës” është shumë e shumë larg dhe fatkeqësisht më së shumti mbulohemi nga terri i vesit , gënjeshtrës, shpifjes, është detyrë , detyrim i cilitdo që ka në zemër një dashuri për të bukurën , të vërtetën , artin e madh , njerëzoren , të ndershmen , të përkujtojë ata emra që përmbledhin brenda tyre fuqinë e “personalitetit emblematik”.
Mohimi i përkujtimit për të pohuar nevojën e një sipërmarrje më të thelluar siç është psh ” nxitja e leximit të veprave “në hije ” tē autorit , si “Trendafili në gotë”etj janë dy argumente që nuk ka pse të kundërshtojnë njëri-tjetrin.
Le të shërbente ky vit përkujtimor , ku krahas dhimbjes njerëzore për ndarjen nga jeta të këtij personaliteti , të mund të sensibilizohej më tepër për vlerat dhe veprën e tij , të mund të ngrihej shqetësimi i drejtë që ky autor as në poezi dhe as në prozë nuk është i vendosur në listën e veprave për testin kombëtar të letërsisë.
Pse duhet të na shqetësojë “kopshti i blertë” kushtuar poetit , pse aq duhet të na cimbisin nervat kujtimet e miqve dhe të afërmëve për shkrimtarin dhe njeriun e zemrës?
Pse kryebashkiakut nuk duhet t’i themi faleminderit , për çdo kontribut të tij në kujtim e vlerësim të figurave si Dritëro Agolli ?
Aq fort e kemi zët aktin qytetar , njerëzor të vlerësimit ?
Kush tha që duke kujtuar poetin përmes mbjelljes së pemëve , kryebashkiaku tenton të krijojë panteonin e letërsisë shqipe ?
Nderimi nuk është kualifikim cilësish e vlerash .
Apo ndoshta nëntekstet e kësaj kritike çojnë ujë aty ku është synimi final , presion dhe insistim për ngrirje iniciativash për vlerësim të figurave si Dritēroi ?
Autori i shkrimit arrin deri aty sa të cilësojë “stil të kapërcyer monist”, përkujtimin e figurave të letërsisë duke përgjithësuar rastin e përkujtimit të 1-vjetorit të parë të ndarjes nga jeta të Dritëroit . E vijon me “përrallat e të kaluarës” të presidiumeve e të heronjve të popullit , të heronjve të Punës Socialiste, “heronjve të heshtur” të Periudhës së Pavarësisë etj . Thirret në ndihmë e kaluara për të katranosur më keq të sotmen .
” Në vendin tim e në vendin tënd
E shpojnë lakrën i hedhin mënd.
Në vendin tim e në vendin tënd
Njërit i kruhet e tjetrit i dhëmb.
Në vendin tim e në vendin tënd
Hënën si petull e pjekin në shkëmb.”
– vargëzon Dritëroi i madh .
Citojmë po ashtu një aforizēm të tij:
“Gjuha e zbulon dhe e mbulon njerinë”.
A do t’i shkonte ky aforizëm autorit të këtij shkrimi?