Sergio Ramos e ka vlerësuar si një nga vitet më të këqija të Real Madridit, përderisa ka bërë thirrje që skuadra të rikompozohet në Ligën e Kampionëve për të shpëtuar sezonin.
Reali barazoi dje me Levanten 2 me 2, dhe nëse sot Barcelona e mposht Espanyolin, atëherë Los Blancos mbetet 21 pikë prapa katalunasve, transmeton Koha.net.
“Do të vazhdojmë të luftojmë që të jemi aq lart sa është e mundur. Liga e Kampionëve dhe pjesa e mbetur e sezonit duhet të shërbejë për të rikompozuar grupin. Nuk është normale të kemi këtë diferencë. Diçka kemi bërë gabim, duke lënë shumë pikë të na ikin në ndeshje që kishim kontrollin. Ky ka qenë një nga vitet më të këqija”, është shprehur Ramos, raporton Goal. Ai ka shtuar se e vetmja mënyrë për të pasur sukses është ekipi të bashkohet në një moment kaq kritik.
“Ekipi po punon, askush nuk po fshihet, të gjithë dalin në front dhe kur është ndonjë situatë e komplikuar duhet të mbrohemi, të jemi të bashkuar, dhe kjo është e vetmja mënyrë për të bërë diçka të vlefshme në Ligën e Kampionëve. Në këtë situatë, duhet të jemi të bashkuar dhe të fortë, dhe të jemi pozitivë për t’u përmirësuar. Besojmë në kapacitetin tonë”, ka thënë kapiteni i Real Madridit.
Me shpresat në La Ligë tashmë të zbehta, Real Madridi pritet të fokusohet në Ligën e Kampionëve, në 1/16 së finales do të përballet me Paris Saint-Germanin që po kalon një formë të lartë.