Anëtari i Gjykatës Kushtetuese Besnik Imeraj, dha sot dorëheqjen nga pozicioni që mbante prej muajit prill të vitit 2013 pak para fushates elektorale dhe fare pranë largimit të paralajmeruar nga pushteti të Partisë Demokratike.
Imeraj parashtroi si argument arsyet personale dhe shëndetin si justifikim për largimin e beftë tij.
Ndërkohë, ne po sjellim disa prej gjurmëve që ai ka lënë në pozicionet që ka mbajtur në organet e drejtësisë.
Ai veçanërisht është i njohur si personi që mbylli e dosjen e Lulzim Bashës me procedurë, për vjedhjen e 230 milionë eurove me Rrugën e Kombit, kur mbante postin e ministrit të Transportit.
Imeraj e ka nisur karrierën e tij brenda organeve të drejtësisë në janar të vitit 1998 ku mori detyrën e Kryetarit të Gjykatës së Apelit Durrës dhe e mbajti deri në mars të vitit 2005.
Fill pas këtij viti dhe deri në 2013, ai ka qenë anëtar i Gjykatës së Lartë, shkruan “TemA”.
Ndërkohë, në vitet 2000-2006, ai ka qenë edhe anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Referuar të dhënave publike, nga viti 2000 e në vazhdim ai është pedagog i jashtëm pranë Shkollës së Magjistraturës.
Veç të tjerash, Besnik Imeraj do të kujtohet edhe si një prej dy anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, që votuan pro kërkesës së Partisë Demokratike për rrëzimin e ligjit të Vetingut.
Me këtë vendim ai kundërshtoi opinionin e Komisionit të Venecias, organit më autoritar dhe kompetent në Europë.
Imeraj ishte ndër të parët në listën e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese që do të thirrej nga organet e vettingut, ndërsa më herët kishte nisur verifikimi i gjithë anëtarëve të trupës së Gjykatës Kushtetuese.