Policia e Tiranës konfirmon arrestimin e personit të parë të dyshuar si bashkëpunëtor në vrasjen e Dëfrim Kasmit tri ditë më parë pranë godinës së SHISH.
Sipas burimeve zyrtare të policisë, Mario Meshini dyshohet se ka pasur rol ndihmës në realizimin e atentatit ndaj 42-vjeçarit që njihej me emrin Devi Kasmi.
Më konketisht i riu sipas policisë dyshohet se e ka nxjerrë në pritë viktimën që u ekzekutua me katër plumba pranë banesës së tij.
Menjëherë pas atentatit policia ka shpallur në kërkim Domart Konjarin, person me precedentë penal, që rezultonte në kërkim për trafikim droge në Francë.
Burimet nga hetimi thonë se gjatë arrestimit të shtetasit Mario Meshini është gjetur edhe motori i përdorur për krimin.
Sipas policisë shkak për ngjarjen dyshohet të jete hakmarrja për konfliktet e nisura nga pazaret e drogës në Spanjë.
Atje mendohet se Devi Kasmi dhe Domart Konjari kanë pasur përplasje të forta mes tyre deri edhe në organizimin e atentateve me armë.
Avokati i Mario Meshinit ndërkohë i ka mohuar akuzat.
a.ç