Trafiku i drogës dhe historia e vrasjeve kanë rrethuar vazhdimisht 41-vjeçarin Dëfrim Kasmi, i cili u ekzekutua mbrëmjen e së hënës në një atentat mafioz poshtë pallatit të tij në Tiranë.
Ai kishte ndërruar emrin nga Dëfrim në Devi Kasmi për shkak të hasmërive kriminale me Domart Konjarin, i cili është shpallur në kërkim si i dyshuar për atentatin.
Tvklan.al ka mundur të mësojë të tjera detaje rreth viktimës. Dëfrim Kasmi njihej me pseudonimin Dëfrim “qorri”. Ai njihej ndryshe edhe si “fantazma”. Asnjë foto e tij nuk është ende publike dhe për këtë arsye ai njihej me nofkën “fantazma”, pasi shumë pak persona ia njihnin fytyrën.
Dëfrim Kasmi ka qenë i përfshirë në trafikun e kokainës në Francë dhe në Spanjë. Pista ku po heton policia për vrasjen e tij, është ajo e hakmarrjes për shkak të kontrolleve për territor në Evropë.
Në rrugën “Kongresi i Manastirit” ku 41-vjeçari u vra nga dy persona me motor, u gjetën edhe dy pistoleta. Armët e zjarrit i përkisnin viktimës, të cilat i mbante gjithmonë me vete pasi ruhej për shkak të konflikteve ku ka qenë i përfshirë. Gjatë kontrollit në banesën e tij në Tiranë, policia gjeti rreth 3 kilogramë kokainë dhe një kallashnikov me silenciator që i përkisnin viktimës.
Miqësia e ngushtë që u kthye në armiqësi
Policia e Tiranës zyrtarisht ka shpallur në kërkim Domart Konjarin si një nga të dyshuarit e vrasjes së Dëfrim alias Devi Kasmi. Domart Konjari, Dëfrim Kasmi dhe Franc Konomi kanë qenë miq të ngushtë me njëri-tjetrin dhe trafikonin kokainë nga Amerika e Jugut drejt Spanjës dhe Francës. Më pas miqësia mes tyre u prish për shkak të një konflikti dhe shkak për këtë ishte Franc Konomi. Ky i fundit u vra në një atentat mafioz në vitin 2010.
Mendohet se grupi i Dëfrim Kasmit ishte prapa ekzekutimit të Franc Konomit. Për të marrë hak, grupi i Domart Konjarit gjeti vendndodhjen në Spanjë ku po qëndronte Dëfrim (Devi) Kasmi. Domart Konjari së bashku me një shokun e tij të paidentifikuar tentuan ta vrasnin. Dy palët u përleshën me njëri-tjetrin dhe Dëfrim Kasmi mundi t’iu merrte pistoletën Konjarit. Këtë të fundit e la të plagosur, ndërsa mikun e tij e vrau. Që prej ateherë, ka pasur vazhdimisht hasmëri mes Domart Konjarit dhe Devi Kasmit./tvklan.al