Pas komisionit të ligjeve edhe komisioni parlamentar i ekonomisë ka diskutuar projektligjin për ndërtimin e aeroportit të Vlorës. Anëtarët e opozitës te të dy komisionet janë shprehur kundër konsorciumit turk në këtë projekt. Deputeti demokrat, Dash Shehi ka qenë i drejtpërdrejtë në qëndrimin e tij kur u shpreh se është kundër investimeve turke në vendin tonë.
“Jam kundër zgjerimit të prezencës turke në Shqipëri. Nuk dua investimeve turke. Nuk duam turbulenca të politikës turke në vendin tonë. Bëni oferta për vendet perëndimore.
Kromin, metalurgjinë, shkollat, aeroportet po i marrin turqit“, u shpreh Shehi, ndërsa pas këtyre deklaratave, ka braktisur punimet e komisionit parlamentar të Ekonomisë.
Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe ish-ministri i Transporteve nga LSI, Edmond Haxhinasto.
“Pse nuk i lihet një investitori shqiptar ndërtimi i aerportit? Aeroporti i Rinasit është ndërtuar nga investitor shqiptar pavarësisht se paratë erdhën nga jashtë”, tha Haxhinasto.