190 milionë lekë është fondi që partitë politike do të fitojnë për vitin 2018 nga buxheti i qeverisë. Është kjo shumë që pritet të ndahet për partitë sipas një formule të përcaktuar pikërisht në bazë të ligjit “Për partitë politike”. Dhe pikërisht shumën më të madhe e fiton Partia Socialiste me rreth 86 milionë e më pas PD me afërsisht 52 milionë lekë e më pas partitë tjera. Më pak do të përftojë PSD-ë me afërsisht 6 milionë lekë.
Do të jenë gjithsej 6 parti politike ato që do të kenë kështu për vitin 2018, i cili nuk është një vit elektoral një bonus të majmë në të ardhurat e tyre. Ajo që bie në sy është pikërisht se nga ky fond do të fitojë edhe partia LIBRA që drejtohej nga Ben Blushi ndërsa PDIU nuk ka mundur dot që të përfitojë nga ky bonus i buxhetit të shtetit.
Gjithashtu një tjetër parti e përjashtuar nga ky përfitim i drejtpërdrejtë është edhe ajo Republikane e Fatmir Mediut si dhe Demokristiane e Nard Ndokës, të cilat i bashkuan votat me PD-në për zgjedhjet që lamë pas, strategji e ndjekur edhe nga kreu i PDIU-së Vangjel Dule i cili u rendit në listat e demokratëve në qarkun e Vlorës ku dhe mori mandatin e deputetit.
“Ligji nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, ka parashikuar fondin prej 190 milionë lekësh si mbështetje financiare për partitë politike për vitin 2018. Neni 19, pika 2, e Ligjit “Për partitë politike”, i ndryshuar, përcakton rregullat sipas së cilave bëhet shpërndarja e fondeve vjetore për partitë politike: 70 për qind, sipas numrit të deputetëve të fituar në zgjedhjet e fundit parlamentare. Çdo parti parlamentare përfiton ndihmë financiare në përputhje me numrin e deputetëve që ka fituar në bazë të sistemit zgjedhor të parashikuar në Kodin Zgjedhor; 20 për qind, në mënyrë të barabartë, ndërmjet partive parlamentare dhe partive politike që kanë përfituar mbi 10 mijë vota në zgjedhjet e fundit parlamentare ndërsa 10 për qind, sipas përqindjes së fituar ndërmjet partive politike që kanë marrë pjesë në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe kanë fituar mbi 1 për qind të votave në shkallë vendi. Pjesa që mbetet pa u shpërndarë nga 10-përqindëshi i shtohet fondit prej 70 për qind dhe u ndahet partive parlamentare”, thuhet ne vendimin qe pritet te miratohet ne mbledhjen e ditës së hënë.
Shuma totale që përfiton secila parti politike si mbështetje financiare për vitin 2018, është shumatorja e të gjitha shumave që rezulton nga llogaritjet e mësipërme duke zbritur sanksionet administrative me gjobë, vendosur nga KQZ, në zbatim të Ligjit nr. 8580, datë 17.02.2000 “Për partitë politike”, i ndryshuar, përkatësisht: për Partinë Socialiste 1 milionë lekë Vendimi i KQZ-së nr.576, datë 12.12.2017, për Partinë Demokratike 1 milionë lekë Vendimi i KQZ-së nr.578, datë 12.12.2017, për Partinë Lëvizja Socialiste për Integrim 1 milionë lekë Vendimi i KQZ-së nr.577, datë 12.12.2017, Partia Socialdemokrate 1 milionë lekë Vendimi i KQZ-së nr.579, datë 12.12.2017.