Fondi Monetar Ndërkombëtar, në një studim të posaçëm për Shqipërinë, llogariti se kostot nga përdorimi i lartë i euros në vendin tonë në një vit janë 6 miliardë lekë (45 mln euro).
FMN e ka bërë këtë vlerësim nga humbja e të ardhurave të seigniorazhit (të ardhurat nga Seigniorage janë diferenca midis vlerës së parasë dhe kostos për ta prodhuar atë).
FMN e llogariti vlerën e humbjes sipas metodologjisë në aspektin e të ardhurave të munguara që kanë të bëjnë me ndryshimet vjetore në stokun e kartëmonedhave të huaja në qarkullim.
Por humbja e seigniorazhit vlerësohet nga perspektiva e bilancit të Bankës Qendrore. Përdorimi i kartëmonedhave të huaja redukton përdorimin e kartëmonedhave të monedhës vendase.
Sipas FMN -së përllogaritjet e humbjeve nga seigniorage arrijnë të paktën 6 miliardë lekë në vit. Fondi përllogarit se euro zë 35% të përdorimit në qarkullimin monetar në Shqipëri, ose rreth 172 miliardë lekë.
Përveç kësaj, pjesa domethënëse e depozitave në euro e detyron bankën qendrore të mbajë më shumë rezerva në valutë për të adresuar nevojat emergjentë për likuiditet në valutë.
Nga ana tjetër, rezervat valutore pakësojnë nevojat e rifinancimit të sistemit bankar dhe cenojnë madhësinë e aseteve. Fondi vlerëson se Banka e Shqipërisë do të shmangte një kosto rreth 3 miliardë lekë nga mbajtja e rezervave në valutë.
Ky mekanizëm, thotë Fondi, ka ulur në mënyrë të ndjeshme fitimin e Bankës Qendrore, i cili vlerësohet si një element kyç për pavarësinë e Bankës Qendrore.
Fondi analizon edhe kosto të tjera që krijon euroizimi në ekonomi në tërësi. Sipas studimit, bankat nuk kanë bërë asnjë analizë që merr në konsideratë goditjet e dyfishta që mund të vijnë nga kursi i këmbimit dhe normat e interesit.
Gjithashtu për familjet nuk ka asnjë studim në lidhje me rrezikun i nënçmimit të kursit të këmbimit në aftësinë paguese të huamarrësit./monitor/a.m.