Dy ministrat e jashtëm, ai shqiptar Ditmir Bushati dhe homologu i tij grek, Nikos Kotzias, kanë bërë shëtitje në pazarin e qytetit të Korçës, pas takimit të ditës së parë të negociatave tre ditore, për zgjidhjen e çështjeve mes dy vendeve.
Të shoqëruar nga kryebashkiaku Sotiraq Filo, si dhe përfaqësues të të dy delegacioneve, në orët e darkës të kësaj të premte, dy kryediplomatët shfrytëzuan rastin për të vizituar pazarin e vjetër të Korçës. Ata janë ulur në një nga kafenetë e kryeqytetit ku kanë qëndruar për disa minuta.
Ditmir Bushati dhe Nikos Kotzias nisën mesditën e sotme në Korçë një takim treditor në kërkim të zgjidhjes përfundimtare për çështjet e hapura mes dy vendeve. Bisedimet e nisura prej orës 15:00 që pritet të zgjasin deri më date 21 janar po mbahen në një hotel të vogël privat në qytetin juglindor, i vënë plotësisht në dispozicion të delegacioneve zyrtare të Tiranës e Athinës.
Report Tv zbuloi më herët axhendën e këtyre bisedimeve ku në fokus janë sërish Ligji i Luftës, marrëveshja e detit si dhe çështja Çame. Në muajin prill pritet të zhvillohet një takim mes kryeministrit Edi Rama dhe homologut të tij grek, Aleksis Tsipras për konkretizimin e marrëveshjeve të arritura nga Bushati-Kotzias.