“Beso” ishte kënga e fundit që Dr. Flori kishte nisur ta punonte pak kohë para se të largohej nga jeta. Ishte një tekst shpirtëror i krijuar enkas dhe vetëm për Danielin e vogël, djalin e tij, por fundi i trishtë i këngëtarit e la në mes këngën ashtu si edhe disa këngë të tjera, të cilat, djemtë e grupit WSF duan t’i sjellin në të ardhmen.
“Beso” ishte e para këngë pas ndarjes nga jeta të Florit dhe, si e tillë, është punuar nën një emocion të madh nga të gjithë. Albani, vëllai i Florit, pak kohë pas largimit të Florit, tha se kishte nisur nga puna që ta vinte në jetë sa më shpejt një këngë që Flori e kishte shumë të ndjerë dhe e kishte lënë përgjysmë.
Por nuk ishte aq e thjeshtë. Jo vetëm për t’u bërë bashkë të gjithë elementët, por më shumë sepse mungonte ai që krijoi këngën. Pjesës tjetër iu desh që të qepte “copat” dhe nën një presion të madh emocional të realizonte atë që Flori nuk e konkretizoi dot.
Landi dhe Miri u bënë bashkë pas shumë vitesh shkëputjeje pikërisht për këtë projekt, i cili, sapo u prezantua, shoi mallin e një kohe të gjatë për WSF, por edhe mallin për Dr. Florin, zëri i të cilëve, të gjithëve u ka munguar në këto 3 vite shkruan Class.
Të ftuar sot në “Rudina”, Landi dhe Miri treguan se si e vunë në jetë këngën “Beso” dhe sa shumë dashuri ka përcjellë ky material te publiku i tyre: “Flori e ka nisur si një projekt për t’ia dedikuar djalit, e ka punuar në një kohë, bënte pjesën e vet dhe, siç punonte Flori, e linte për një kohë tjetër për t’iu rikthyer. Ndodhi ajo që ndodhi dhe kënga mbeti aty. Albani na e prezantoi këngën dhe ne ishim gati për ta nxjerrë…” – tregon Landi duke theksuar se si fillim, kënga nisi si një dedikim shpirtëror për djalin e Florit, i ndikuar edhe nga besimi që kantautori ndiqte vitet e fundit.
“Beso”, me gjithë mungesën e Florit, erdhi në një kohë kur grupi bën 20 vjet në tregun muzikor, dy dekada që për ta thonë shumë: “20 vjet në muzikë, një kohë e shkëlqyer e jona me publikun, një kohë shumë e mirë, ia vlen të rikthehesh…” – vazhdon Landi.
Fabula e këngës është gjithashtu e menduar mirë: “Meqenëse u nis si një dedikim i ndjerë për Danielin, personazh kryesor në klip është një djalë i vogël, i cili duket që shfaq probleme, por mesazhi që ne duam të përcjellin është që gjithmonë të besosh dhe kurrë të mos dorëzohesh.”
Landi është portreti më i ndjeshëm, më shpirtëror, nisur edhe nga teksti dhe mesazhi i fjalëve të tij. Landi është ai që ndez një dritë, dy herë, tri herë… duke shpresuar tek e ardhmja.
Ndërsa Miri, i ardhur nga jashtë, e ka më të vështirë për ta gjetur veten në një vend ku mungon shumë miku i tij i dashur. Pasi zbret në aeroport, vendi i parë që i sjell në mendje Florin është studio ku ata rrinin me orë të tëra e krijonin muzikë. Dhe prej andej e nis pjesën e tij të kujtimeve duke iu drejtuar Florit.