Mes presionit të kohës, çështjeve të nxehta që duan përgjigje dhe pritshmërive të larta, reforma në drejtësi ende nuk e ka thënë fjalën e saj.
Disa thonë që është shumë vonë, disa thonë që ka vdekur dhe disa të tjerë pretendojnë se po ecet në normalitet.
Vetingu nuk ka nisur ende, i sulmuar dhe i stërsulmuar në Gjykatën Kushtetuese, dhe në fund të janarit priten rezultatet e para.
Vetingu bëhet për të pastruar figurën e gjyqtarëve dhe prokurorëve të Republikës së Shqipërisë, edhe pse jo pak herë është përdorur si mashë politike në lojën elektorale.
Vetingu përdoret edhe kundër gjyqtarëve, me këta të fundit që në pamundësi për t’iu përgjigjur, për shkak se brenda një dite duhet të gjykojnë deri në 15 çështje gjyqësore, që mesatarisht zgjasin 6 muaj deri në 1 vit, nuk kanë dhe aq kohë për t’u marrë me akuzat politike.
Simoni: Personalisht mendoj se ky proces duhet të vijojë normalisht pa presionin dhe intimidimin që po vonohet apo po ecën. Duhet të jetë një proces i kujdesshëm që të mos shkelë të drejtat e subjekteve që janë në vlerësim, konkretisht të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Është krijuar një ide, edhe unë jam i këtij mendimi që në opinionin e përgjithshëm ekziston një lloj presioni për shkak të këtij procesi që duket që është një proces kompleks që lidhet pak a shumë me qëndrimin ose jo në detyrë të gjyqtarëve. Krijon një ndjenjë pasigurie tek gjyqtarët, por duhet të kemi parasysh, siç e përmenda, ky proces do kohën e vet. Duhet të jetë një proces i kujdesshëm.
Megjithatë sistemi nuk është në ngërç. Të njëjtat dosje që siç gjykoheshin përpara reformës, gjykohen edhe tani sepse Gjykatës për Krime të Rënda nuk i është hequr asnjë kompetencë.
Simoni: Për momentin, Gjykata për Krime të Rënda është një gjykatë funksionale mbi të njëjtën bazë ligjore siç ka funksionuar më përpara bazuar në ligjin për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda dhe vijon të gjykojë dhe të shqyrtojë çështjet referuar kompetencës përpara ndryshimit të Kodit të Procedurës Penale. Kjo referuar një dispozite kalimtare në ndryshimet e fundit të Kodit të Procedurës Penale, neni 285 i ligjit 35/2017, i cili përcakton që Prokuroria dhe Gjykata për Krime të Rënda vijojnë të gjykojnë çështjet deri në krijimin e gjykatës së posaçme. Ne po vazhdojmë të gjykojmë të njëjtat çështje që kemi gjykuar më përpara. Në Gjykatën tonë janë rreth 60 çështje gjyqësore të rëndësishme, kryesisht ato në fushën e narko-trafikut, korrupsionit, vrasjet në familje, vazhdojnë të gjykohen në këtë gjykatë.
Pas vetingut, nis dhe formimi i institucioneve të reja, ku më kryesoret janë Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli i Lartë gjyqësor, si qeveria e sistemit të ri të drejtësisë. Përtej dukjes se shoqëria civile, prokuroria, apo vetingu e kanë penguar, qëndron edhe Gjykata Kushtetuese e cila ka shfuqizuar disa nene që prekin komeptencat e këtyre institucioneve.
Me vendimin e 16 majit të vitit 2017, Gjykata Kushtetuese shfuqizoi të drejtën e këtyre këshillave për të emëruar apo shkarkuar prokurorë dhe gjyqtarë dhe të marrë masa disiplinore ndaj tyre. Dhe nëse nuk e bëjnë këto Këshilla, atëherë nuk ka kush tjetër t’i bëjë. Kjo do të thotë se edhe nëse ngrihen, jo për faj të vetingut dhe jo për faj të shoqërisë civile, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial, nuk mund të funksionojnë.
Simoni: Krijimi i këtyre institucioneve me këtë vakum ligjor, i bën institucionet jo funksionale. Prandaj, është detyrë e ligjvënësit që ta plotësojë këtë vakum ligjor. Mendimi im është që deri në konstituimin e krijimit të këtyre institucioneve, nga ana e Parlamentit të plotësohet boshllëku ligjor pasi vet misionet e asistencës ligjore, EURALIUS apo OPDAT, besoj që janë angazhuar së bashku me komisionin e ligjeve, për të plotësuar këtë vakum ligjor.
Një tjetër shqetësim për ngritjen e këtyre institucioneve, është edhe numri i ulët i kandidatëve nga trupa akademike për këto dy këshilla. Sipas ligjit për organet e qeverisjes vendore, në nenet 53 dhe 151 të tij, kandidatë nga trupa pedagogjike dhe nga shkolla e magjistraturës duhet të jenë minimalisht dyfishi i vendeve që kanë në Këshill dhe maksimalisht 10 kandidatë.
Shkolla e Magjistraturës dhe trupa pedagogjike do të kenë 2 anëtarë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe 2 anëtarë në Këshillin e Lartë Gjyqësor, pra duhet të ishin minimalisht 6 kandidatë për secilin nga këto këshilla. Ndërkohë që nga dokumenti i publikuar në faqen e Kuvendit, janë 4 kandidatë nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe 5 kandidatë për Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Pra reforma në drejtësi ka ende punë përpara./Ora News/a.m.