Atentati ku mbeti i vrarë Emiljano Boçi dhe u plagos shoku i tij, Melvi Disha, pranë Policisë Bashkiake në Tiranë, dyshohet të jetë realizuar nga një vrasës me pagesë, shkruan “Panorama”.
Ky është përfundimi paraprak i grupit hetimor pas analizimit të provave, dëshmive dhe rindërtimit të skemës së krimit, ndonëse deri tani nuk ka ende asnjë person të dyshuar.
Policia ka shoqëruar për verifikim 30 persona, që mund të kenë dijeni për krimin, por edhe dëshmitarë, të cilët janë lënë të lirë pas disa orësh.
Burimet thanë se mes personave që janë marrë në pyetje pas vrasjes së 32-vjeçarit të sapokthyer nga Gjermania, janë edhe të afërm të personit që Boçi plagosi në vitin 2010.
Por mësohet se ata e kanë mohuar kategorikisht përfshirjen direkte apo indirekte në këtë ngjarje, duke pretenduar se ngjarja e 8 viteve më parë ishte mbyllur me marrëveshje mes dy familjeve. Burimet thanë se megjithëse është zbehur disi pista e hakmarrjes, ende nuk ka rënë plotësisht, pasi hetimet po vijojnë edhe në këtë drejtim.
Nga ana tjetër, mësohet se puna e oficerëve të Krimeve të Rënda është përqendruar rreth aktivitetit që Emiljano Boçi ka pasur jashtë Shqipërisë, kryesisht në Holandë dhe Gjermani. Janë duke u verifikuar të gjitha lëvizjet e tij të fundit brenda dhe jashtë vendit, personat që ai mund të ketë pasur përplasje apo konflikte.
Burimet thanë se po hetohen konfliktet e mundshme për prishje të pazareve të drogës apo edhe çështje konkurrence në këtë drejtim. Nga ana tjetër, personi që mbeti i plagosur në atentatin e së dielës në Tiranë, Melvi Disha, rezulton të mos ketë pasur lidhje me ngjarjen, por është qëlluar aksidentalisht, pasi ndodhej në makinë me viktimën. Dëshmia e tij nuk ka pasur ndonjë rëndësi për hetimin e ngjarjes, qoftë në drejtim të identifikimit të autorit, qoftë për motivet e vrasjes së mikut të tij.
Të dielën, Emiljano Boçi, me të dashurën e tij dhe mikun që i ishte kthyer nga Gjermania, Melvi Disha, kanë qenë duke ngrënë drekë në një restorant që ndodhet në rrugën “Shefqet Musaraj”, në një rrugicë në krah të Policisë Bashkiake në Tiranë. Ata kanë qëndruar për disa orë aty dhe kanë dalë rreth orës 17:50 nga lokali, duke hipur në makinën “Range Rover” të Boçit, që ishte e parkuar aty.
Në vendin e shoferit ka qenë i ulur 32- vjeçari Emiljano Boçi, i cili njihet edhe me emrin Roland apo Landi, në krah të tij ka qenë e ulur e dashura, ndërsa në sediljen pas tij ishte ulur 26- vjeçari Melvi Disha. Makina nuk ishte ndezur ende, kur një person ende i paidentifikuar, ka qëlluar 5 herë nga mbrapa saj, në drejtim të shoferit. Sipas Policisë, në këto rrethana sqarohet se objektiv i atentatit, ka qenë Emiljano Boçi.
Por duke qenë se shoku i tij ishte në të njëjtin drejtim me të, në sediljen e pasme, ka mbetur i plagosur edhe ai. Burimet thanë se atentatori dyshohet të ketë qenë duke e pritur Boçin dhe ka studiuar të gjitha lëvizjet e tij. Në momentin që ka dalë nga lokali, ai ka pritur momentin që të hipte në makinë dhe ka qëlluar.
Një mik i viktimës, që ndodhej gjithashtu në lokalin ku ata kishin drekuar, ka dalë jashtë rastësisht pak momente pas ngjarjes. Kur ka parë se çfarë kishte ndodhur, ai ka hipur në makinën e Emiljano Boçit dhe i ka transportuar në Spitalin Ushtarak.
Sipas mjekëve, 32- vjeçari ka mbërritur i vdekur në spital, ndërsa në trupin e tij janë konstatuar tri plagë me armë zjarri. Plagët kanë qenë të gjitha në pjesën e pasme të trupit, një në qafë dhe dy të tjerë në shpinë.
Ndërsa 26-vjeçari Melvi Disha, ka pasur vetëm një plagë në shpatull dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia tha dje se në vendin e ngjarjes janë gjetur 4 gëzhoja model “Gfl Luger”, të kalibrit 9 milimetër. Ndërsa arma e përdorur për vrasjen dyshohet të ketë qenë me silenciator.