Nga Artur Ajazi
Më në fund, Lulzim Basha i PD dhe Monika Kryemadhi e LSI, e kanë vendosur, do të “rrëzojnë” Ramën dhe qeverinë e tij në 27 janar, por ama bashkë me ata edhe nja 4-5 partiçka të tjera që nuk kanë më tepër se 20 anetarë, dhe asnjë protestues. Protesta e 27 janarit, ( natyrisht pas ultimatumeve dhe deklaratave mediatike) pritet të jetë në fakt shansi i fundit i Lulzim Bashës, i kryetarit të PD, të kësaj force politike e cila sot më shumë se kurrë, ka humbur jo vetëm mbështetësit e saj, jo vetëm militantët e saj të fushatave dhe protestave, por ka humbur shumë edhe në rrafshin politik nderkombëtar. Shansi fundit 27 janari do të jetë edhe për Monikën, partia e të cilës muajt e fundit pothuajse po shkrihet politikisht.
Nga ana tjetër, ambasadorët e BE dhe ambasadori i SHBA zoti Lu në Tiranë, po “ngopen” me lugën e zbrazur të një kryetari partie i cili po bën opozitën më të dobët dhe më absurde në këto 27 vjet, dhe të një kryetare e cila si mjetin e vetëm për të bërë opozitë njeh vetëm dhunën dhe çizmet, karriget etj. Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi duke thirrur protestat “popullore” në fakt nuk po bëjnë gjë tjetër por kërkojnë të largojnë nga opinioni publik, mediatik dhe politik, vëmëndjen për fillimin e zbatimit të Vettingu-t, për fillimin e zbatimit të reformave në drejtësi, si një kusht vendimtar për afrimin e vendit në BE. Protestat e Lulit dhe Monikës, ngjajnë më tepër me mbledhjet e dikurshme të lagjeve se sa me një organizim politik, në një sistem të lirë demokratik.
Të gjithë e dimë, se si organizohen dhe mbahen “protestat popullore” të Lulit, qysh nga organizimi njerëzve, mbushja e autobuzave dhe ç’organizimi i saj me flakadanë dhe dhunë mbi uniformat blu. Data 27 janar në fakt, mbetet shansi fundit për dyshen Basha-Kryemadhi, edhe për faktin sepse ata atë ditë do të matin jo vetëm forcat për pjesëmarrjen dhe vëmëndjen ndaj tyre, por do të monitorohen rreptësisht edhe mbi gjithçka ndodh. Luli e di fare mirë se në protestën e tij, do të vijnë ish-drejtorët dhe ish-zyrtaret që mbushën xhepat me miliona kur PD ishte 8 vjet në pushtet, por mund të vijnë edhe dhjetra njerëz të cilët paraprakisht do të marrin 2 mije lekeshin nën dorë, plus ndonjë sufllaqe me cola.
Kurse Monika nuk ka shpresë se do ti vijnë ish-drejtorët e saj, sepse gjysma e tyre tashmë kanë vajtur për ndjekje penale nën akuza të ndryshe duke nisur nga ajo e “shpërdorimit të detyrës, abuzimit me fondet e investimeve” dhe deri tek akuza të tjera të rënda penale. Pra dyshes Basha-Kryemadhi, i mbetet kësaj here të punojnë fort dhe të harxhojnë shumë para, për të sjellë me autobuzë të paktën 2 mijë vetë në shesh, ndryshe e ardhmja e tyre politike (përpos probleme të brëndshme në parti) mbetet e diskutueshme, për të mos thënë qysh tani e paqëndrueshme dhe e lëkundshme.
Fronti “opozitar” që dyshja Basha-Kryemadhi firmosën dy muaj më parë, ishte “krushqia” më e keqe politike që ka patur ndonjëherë ky vend, ishte bashkimi më hipokrit që është bërë ndonjëherë mes dy njerëzve që pasi u bënë me vota të sajuara dhe të “blera” kryetarë partish, tani nuk po gjejnë rrugëdalje dhe rrugëzgjidhje për të mbushur sheshet nën ultimatumet e thirrjet e tyre absurde “të rrëzojmë qeverinë”, kur ajo është legjitime. Dita e 27 janarit, duket më tepër si pika e fundit e “programit opozitar” që ka mbetur ende pa u konsumuar në sytë e militantëve të PD, si dita e përpjekjes dështake të një fronit që vetëm opozitë nuk po i bëjnë qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Protestat e opozitës, duhej të kishin konsensusin e gjithë bazës së partive opozitare, kryesisht të Partisë Demokratike, dhe jo vetëm miratimin e dy njerëzve që po mundohen ta privatizojnë dhe shfrytëzojnë, për qëllimet e interesat e tyre edhe 27 janarin e trumbetuar me aq bujë.
Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi, nuk mund tu mbushin mëndjen demokratëve dhe aq më tepër shqiptarëve, se “e kanë seriozisht luftën opozitare”, se “me protesta do ta detyrojmë Ramën të dorëhiqet” apo se “gjithçka bëhet për popullin e shumëvuajtur”, kur dihet se si janë sjellë ata kur kanë patur pushtet. Shqiptarët presin nga qeveria dhe partitë politike, përgjegjshmëri dhe angazhim maksimal në zbatimin e reformave rradikale në drejtësinë e njollosur, presin të përmbushen kilometrat e fundit për të marrë lajmin e madh të hapjes së negociatave me BE, dhe jo të shohin tym dhe flakë, apo skena dhune në sallën e parlamentit apo në sheshet e Tiranës, nga “opozitarët” e shtirur. Protesta e 27 janarit, do të vulosë ndoshta përfundimisht jo vetëm të ardhmen e “frontit opozitar” por do të nxjerrë jashtë funksionit, të gjitha makinacionet e ndryshkura të provokatorëve Basha-Kryemadhi.