Pas 20 viteve Shqipëria rrezikon të mos quhet më vendi i shqiponjave, pasi ato janë në sulmin e vetë shqipëtarëve.Nga 200 çifte shqiponjash ditët e sotme kanë mbetur më pak se 100. Banorë të zonave malore, ku shqiponjat kanë foletë, i vrasin apo i kapin të gjalla që më pas ti shesin të balsamosura për zbukurim lokalesh. Ky fenomen u ka bërë përshtypje edhe mediave të huaja, pasi vetëm pak ditë më parë nëj media franceze ka treguar se si këto shqiponja vriten dhe shiten më pas në rrugë deri në 70 mijë lekë.
Djali që i shet thotë se “i kam vra dhe do i balsamos dhe me këto do të zbukuroj lokalin, kështu që do të kem më shumë klientë”.
Studiuesi i mjedisit që ka ndjekur nga afër këtë fenomen, Taulant Bino tregon për Report Tv se ky shpend po shkon drejt asgjësimit duke nënvizuar përgjegjësit dhe shkaqet që po çojnë në zhdukjen e këtij shpendi.
“Në vitet 90 mendohej që Shqipëria kishte rreth 100, 200 çifte shqiponjash, të shpërndara anë e kënd vendit. Në çdo majë të malit shpeshherë shikonim shqiponja në atë kohë, ndërsa sot në vlerësimet e kryera duket se numri i çifteve është përgjysmuar, 50 deri në 100. Në qoftë se habitatet dëmtohen në një formë të tillë, në qoftë se shpendët përndiqen për tu vrarë, për tu balsamosur, për tu kapur e burgosur apo edhe për tu shitur, duket që fare shpejt në 20 vitet e ardhshme ne mund mos kemi më shqiponja në natyrë që të fluturojnë të lira dhe krenare”, ngre shqetësimin studiuesi i mjedisit Taulant Bino.
Por si mund të parandalohet zhdukja e shqiponjave?
“Sot më e lehtë të shikosh shpendin kombëtarë është të shkosh në restorant, sesa ta shikosh në natyrë. Kjo gjë është e turpshme, nuk duhet pranuar. Ne duhet të bëjmë kujdes në ruajtjen e habitateve dhe nga ana tjetër ne duhet të ndalojmë këto format e reklamimit të shpendëve të balsamosura ose shpendëve të ngordhur që do të thotë të kryhen kontrolle në restorante apo edhe mënyra të tjera që janë propozuar tashmë edhe nga OJF-t për të reduktuar këtë mentalitet dhe numrin e shpendëve të balsamosur që ne i paraqesim në to. Përveç kësaj është edhe çështja e helmimit që duhet atakuar dhe duhet ngacmuar”,përgjigjet Taulant Bino.
Shqipëria nisi të quhet vendi i shqiponjave në shekullin XI nga historianët e Bizantit, prej maleve dhe sot 10 shekuj më vonë Shqipëria është në humbje të simbolit të saj, shqiponjës. Nëse nuk duam që shqiponjën ta shohim vetëm në flamur por në alpet shqiptare, duhet të ndalim këtë fenomen.