Janë bërë më shumë se dy javë qëkur kryeministri Ramush Haradinaj ka aplikuar për vizë amerikane, por akoma nuk i është dhënë ajo.
Siç merr vesh KTV-ja, arsyeja e vonesës së përgjigjes së Ambasadës amerikane është se Departamenti Amerikan i Shtetit, nuk është shprehur i gatshëm ta takojë Haradinajn.
Refuzimi i zyrtarëve amerikanë për ta takuar kryeministrin kosovar, vjen për shkak të vonesës në ratifikimin e marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi.
Televizioni ka mësuar se ky qëndrim i SHBA-së ka të bëjë gjithashtu me nismën për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara për Kosovën.
Haradinaj kishte planifikuar që më 7 janar të bënte një vizitë në shtetin e Iwoa-s.
Por, Avni Arifi, këshilltar politik i kryeministrit, ka thënë për KTV-në se ende nuk kanë marrë përgjigje për vizën e Haradinajt.
“Qeveria e Kosovës nuk është në dijeni nëse i është refuzuar viza kryeministrit Ramush Haradinaj. Është në procedurë dhe nuk kemi akoma përgjigje. Asnjë zyrtari të qeverisë nuk i është refuzuar viza amerikane, e aq më pak kryeministrit”, ka thënë Arifi.
Kabineti i kryeministrit ka thënë për televizionin se Haradinaj ka aplikuar për vizë në fund të dhjetorit.
KTV-ja ka pyetur edhe Ambasadën Amerikane nëse i është refuzuar apo jo viza kryeministrit, por nuk ka marrë përgjigje.
Por, në webfaqen e Ambasadës Amerikane në Prishtinë, qartësohet se nëse aplikuesi kualifikohet për vizë diplomatike, ambasada e procedon vizën brenda një dite.
Në një postim në Facebook, kryeministri Ramush Haradinaj ka mohuar se i është refuzuar viza amerikane.
“Më 24 mars ’98, kemi pasur momente jete apo vdekjeje. Kështu ka vazhduar deri më 24 mars ‘99, kur Amerika dhe NATO-ja na dolën në ndihmë. Kurrë nuk do ta harroj. Momente të vështira pritjeje deri më 24 mars ‘99. Pres edhe për vizë deri kur të ma japin. I besoj Kosovës! I besoj Amerikës! Jam ende në procedurë për vizë”, ka shkruar Haradinaj.
Nëse refuzimi i vizës është i vërtetë, për deputeten e Vetëvendosjes Donika Kadaj-Bujupi, është arsye e mjaftueshme që Haradinaj të japë dorëheqje.
Edhe deputeti i Alternatives, Ilir Deda, ka thënë se refuzimi i vizave është vetëm një hap drejt izolimit të udhëheqësve të Kosovës. /gazetablic.com/