Bashkia e Gjirokastrës dhe Shërbimi gjeologjik përplasen për rrëshqitjen e tokës dhe rrezikun e banorëve të pallatit 5-katësh. Inxhinjeri i bashkisë thotë se nuk ka vend për panik, ndërsa për kreun e shërbimit gjeologjik çarjet janë thelluar gjatë natës dhe se situata po agravohet.
Këtë të diel rreth 60 banorët që po jetojnë në panik i kanë drejtuar një peticion kryeministrit ku kërkojnë marrjen e masave urgjente për shpëtimin e jetëve dhe pronës së 18 familjeve.
Shumica e tyre janë larguar për t’u strehuar përkohësisht tek të afërmit edhe prej konfuzionit që prodhuan qëndrimet e ndryshme të ekspertëve lokalë.
Inxhinieri që drejton ekipin e monitorimit të situatës për bashkinë Aleksandër Pesha tha se pallati nuk gjendet mbi shtresën gjeologjike që po rrëshqet kështu që nuk ka vend për panik tek banorët.
“Nuk ka rrezik, po e monitorojmë situatën”, u shpreh Aleksandër Pesha, inxhinier konstruktor në Bashkinë Gjirokastër.
Nga ana tjetër kreu i shërbimit gjeologjik Çano Nora tha se situata ka agravuar gjatë natës çka provohet edhe nga thellimi i çarjeve.
“Nëse banorët do të qëndrojnë në banesa duhet të ketë vrojtim edhe gjatë natës për çdo të papritur ndërsa masat për një zhvendosje të mundshme të banorëve duhet të jenë aktive në çdo moment”, u shpreh ai.
Nora sqaroi gjithashtu se shkak për situatën janë bërë edhe moszbatimi i rekomandimeve drejtuar Bashkisë së Gjirokastrës 5 vjet më parë ku përmendej nevoja e drenazhimit të zonës dhe ndërtimi i mureve mbajtëse.
Pavarësisht këtyre qëndrimeve të ndryshme, do të jetë raporti përfundimtar i ekspertëve që në fillim të javës do të vendosë për seriozitetin e situatës dhe menaxhimin e rrezikut. /TCH