Alfred Lela, drejtues i portalit “Politiko.al”, ka botuar një lajm me përgjimet audio të grupit të Habilajve. Edhe pse materialet prej muajsh janë në mediat italiane me këto përgjime në media shpesh herë po luhet sikur dalin materiale të reja.
Por, në fakt janë të njëjtat veç publikohen pasazhe dhe vendosen në një kontekst të caktuar duke prodhuar “bombën” e radhës.
Së fundi përgjimet janë publikuar audio në portalin që drejtohet nga Alfred Lela. Lidhur me këtë shkrim gazetari Andi Bushati i cili drejton portalin “Lapsi.al”, ka thënë se çështja “Tahiri” po banalizohet dhe po kthehet si ato telenovelat turke të TV Klanit, me “bombat” e mediave pranë opozitës.
Por pas shkrimit të Bushatit, Alfred Lela ka reaguar duke e akuzuar këtë të fundit, se i ka vjedhur përgjimet.
“Po Bushat. Pa vlerë ishe, por pasi e shkarkove dhe e hodhe te lapsi, platforma ‘Vimeo’ ta bllokoi për shkelje të copyright, ti u turre dhe e vodhe me marifet duke zhdukur shenjat e ‘Politiko’.
Dhe aty e ke si plaçkë të vjedhur në telin me tesha thuajse të lara të lapsit”, shkruan Lela, që ka paralajmëruar se do t’i çojë në gjyq të gjithë ata që kanë publikuar përgjimet audio të marra nga faqja e tij./a.m.