Në prag të festës së ndërrimit të viteve, Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve Arben Çuko si dhe dy deputetet Vasilika Hysi dhe Elona Gjebrea u bënë pjesë e një aktiviteti që u organizua në burgun “Ali Demi” në Tiranë. Kjo ditë feste u konceptua e tillë, që gratë të ndiheshin edhe më të plotësuara duke sjellë pranë tyre fëmijët dhe familjarët.
Ministrja theksoi se nismat për kurset profesionale që ndërmerren nga Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve kanë qëllim që dënimi të mos shihet si ndëshkues por edhe rehabilitues. Ministrja u bëri thirrje biznesve dhe sipërmarrësve të ofrohen në institucionet e vuajtjes së dënimit për t’ju dhënë mundësi të dënuarve të angazhohen në punë, njësoj si njerëzit jashtë.
Për ti shpalosur talentet që shumë të dënuar shfaqin, përmes pikturave, punimeve artizanale etj, Ministrja theskoi se do të mendohen programe vjetore, ku do të përfshihen aktivitete jo vetëm brenda institucionit por dhe jashtë tij, me qëllim që të gjithë të kenë mundësi të shohin punimet e realizuara me mjeshtri dhe profesionalizëm.
Gjatë kësaj vizite Ministrja Gjonaj bashkë me të ftuarit e tjerë vizituan ambientet e pastiçerisë që është ngritur brenda ambienteve të IEVP, ku ishin ekspozuar edhe disa nga prodhimet që 8 të dënuarat e punësuara realizojnë në këtë pastiçeri. Më pas pjesë e vizitës ishte ekspozita me piktura dhe punime të tjera artizanale realizuar nga gratë e dënuara.
Ndërkohë që për fëmijët e të dënuarave ishte organizuar një shfaqje me animatorë, këngë dhe valle nga Ansambli i të dënuarave si dhe u shpërndanë dhurata nga Ministria e Drejtësisë, deputetet si dhe nga vetë Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
ma.me