Nga Bedri Islami
Disa ditë më parë, në Kuvendin e Shqipërisë, brenda në sallë e jashtë saj, ndodhën ngjarje të pazakonshme, por të paralajmëruara.
Për fat, e gjithë ajo që ishte parashikuar të ndodhte, nuk mori atë përmasë që donin organizatorët – opozitarë, të mëdhenjt e të vegjlit, megjithë thirrjet dëshpëruese për të sulmuar parlamentin.
Tri herë, nën tri komanda të ndryshme, Kryemadhi, Paloka e Noka, njerëzit e grumbulluar jashtë sallës deshën të thyenin kordonin policor dhe, nëse nuk ndodhi kështu, nuk do të thotë se ata u ndalën vetdijshëm.
Në sallë ndodhën ngjarje të tjera, disa nga të cilat do të kalojnë në historinë e pluralizmit shqiptar, si gjuajtja me çizme dhe mburrja se herën tjetër do e qëlloj në lule të ballit shefin e qeverisë, rrëmbimi i kartonëve të votimit nga dy deputete lësëiste që shumica të mos votonte, zjarre tymuese, hedhja e flakëve në drejtimin e një zonje që ende nuk ishte zgjedhur kryeprokurore e përkohshme, vënie e duarve në kokë sikur po ndodhte gjëma e madhe; britmat e opozitës dhe, si mos o zot! deputeti i vjetër , Berisha, që deri asaj dite i kishte lëvizur gjërat me një shenjë të gishtit të vogël, duke u shtyrë me pjestarët e gardës.
Në tërë atë zallamahi , si të tjerët, edhe unë vura re një deputete të re, më duket 23 vjeçare, studente më thanë se është, Floida Kërpaçi, që tundte dorën e saj të gjakosur, si një flamur beteje dhe akuzonte policinë se e kishte tërhequr rrëshqanazi dhe ia kishte dërmuar krahun e saj, pikërisht kur ajo po ndihmonte një demonstruese të plagosur.
Ndoshta kjo ka qenë deputete edhe herën e kaluar, por unë nuk e mbaj mend. Ka të rinj që po e fillojnë jetën duke qenë deputetë, pa dalur ende në jetë. Ndodh eshe kështu. Nga një letër e deputetes tjetër , Kejdi Mehmetaj, mësova se ajo paska qenë deputete që në moshën 20 vjeçare, dhe nuk e kisha ditur, megjithëse , nëse ka deputetë aktivë në parlamente janë pikërisht këto vashat e LSI-së.
Kejdin nuk e mbaja mend. Të më ndjejë. E pashë kur rrëmbej kartonët e votimit të shumicës, kolegë të saj dhe më erdhi keq që një deputet i dha një të shtyrë.
Më erdhi keq, por ndoshta do e kishte bërë shumë kush, kur sheh se si një vajzë e re, moderne, që ka të paktën katër vite në parlament, kështu mësova, sulet për të hequr të drejtën e votimit të një grupi kolegësh të saj.
Thonë se, kur nuk e bind dot tjetrin me fjalë, i vërsulesh ndryshe. Nejse, Kejdit i uroj edhe shumë vite të tjera parlamentllëk, megjithëse, thënë të drejtën, nuk jam i një mendje me futjen në tempullin e mendimit dhe të legjislacionit të djemurinëve dhe vasherive që ende nuk kanë një muaj punë diku tjetër. Por, kjo është punë që nuk më përket mua.
Të kthehem tek dëshira ime që është njëkohsisht edhe pyetja ime: Kush e ka parë?
Aleanca e Grave Deputete i drejtoi një letër-kërkesë Kryetarit të Parlamentit, zotit Ruçi ,për të dënuar deputetët dhe policët që kishin përgjakur deputeten e re, Floida Kërpaçi, e kishin plagosur dhe tërhequr zvarrë.
Nëse ka ndodhur kështu, secili polic e deputet meriton dënimin më të rëndë; e para se kanë tërhequr zvarrë dhe përgjakur një grua, një deputete, një protestuese. Pra, duhen dënuar tri herë.
Por, unë për vete, deri tani, nuk kam parë asnjë video, asnjë foto, asnjë dëshmi të filmuar, nuk kam dëgjuar asnjë dëshmitar real, i cili të ketë parë pikërisht këtë linçim të një depueteje të re, ende studente.
Kam parë një video që tregon të kundërtën, por ajo mund të jetë e rreme.
Asaj dite aty kanë qenë dhjetra ekipe televizivë, privatë me kamera, të dërguar enkas nga partitë politike opozitare, dëshmitarë të ndryshëm, të cilët e zunë edhe Mul Nokën duke bërë shu..ën. Por ende nuk kam parë një dëshmi vizive të tërheqjes zvarrë dhe gjakosjes së deputetes.
Meqenëse kjo histori po zgjatet si tepër, meqenëse njëra palë dëshmon se u përgjak e tjetra se nuk është përgjakur…sinqerisht ju lutem, nëse ka njeri diçka vizive, ose foto, ose kanë qenë të pranishëm dhe e kanë parë me sytë e tyre, ose diçka tjetër …bëjeni publike, dreqi e mori, sepse nuk është mirë as për atë vajzë të bëhet mollë sherri , ose të mbetet akti ndaj saj i pagjykuar e askush të mos dënohet.
Na sillni një video!
Të na mbushet mendja!
(DITA)