Telenovela “Veliera” vazhdon me një seri tjetër. Seanca e tetë e zhvilluar mesditën e sotme që zgjati dy orë është shtyrë sërish pasi pala paditëse kërkoi më tepër kohë për t’u njohur me përgjigjet e tre ekspertëve të zgjedhur nga Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Durrës sa i përket dëmtimeve të konstatuar dhe çfarë rrezikon ndërtimi këtij objekti.
Pala paditëse nuk ishte dakord me ekspertët e zgjedhur, por kjo kërkesë nuk u mor parasysh nga gjykata. Avokatja e palës paditëse nga Shoqëria Civile, Mirela Jorgo deklaroi se edhe ekspertët e pranojnë se ka dëmtime, por theksoi se problemi qëndron tek ndryshimi i projektit.
Ambientalisti Sazan Guri në fjalën e tij theksoi se po shkelet ligji në mënyrë flagrante pasi gjatë ndërtimit të Velierës janë dëmtuar zonat A dhe B.
Seanca e radhës gjyqësore u caktua më datën 9 janar 2018 ora 13:00, ndërsa këtë të premte pra në datë 29.12.2017 palët duhet të paraqesin pranë gjykatës përgjigje, saktësime edhe sugjerime nëse ka.
Projekti për punimet e Velierës është pezulluar.