Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi para deputetëve ka folur edhe për proceset zgjedhore që ishin këtë vit. Ai ka thënë se viti 2017 ishte vit i të arriturave përkundër shumë sfidave. Ndërsa ka theksuar se FSK-ja do të shndërrohet në ushtri gjatë vitit 2018. “Kemi kaluar dy palë zgjedhje, ato të përgjithshmet në qershor dhe ato për kuvende komunale e kryetarë komunash në tetor. Këto dy procese elektorale kanë dëshmuar edhe një herë pjekurinë e politikës dhe shoqërisë kosovare në përgjithësi. Kjo i ka hapur rrugë formimit të qeverisë së re, kuvendeve të reja komunale dhe zgjedhjes së kryetarëve të rinj të komunave të Kosovës”, ka thënë ai.
Presidenti ka thënë se Qeveria e Kosovës dhe kryetarët e zgjedhur të komunave, tani duhet të punojnë me përkushtim për realizimin e prioriteteve të përcaktuara dhe ta përmirësojnë jetën e qytetarëve.
“Kur jemi tek zgjedhjet e lira, më lejoni të theksoj se unë nuk kam hequr dorë nga puna ime që të punojmë bashkërisht me partitë politike për të përfunduar me sukses procesin e reformës zgjedhore. Unë konsideroj se pjesa më e madhe e punës në këtë drejtim ka përfunduar dhe gjatë vitit në vijim, ne duhet ta përfundojmë këtë proces.
Përkundër faktit se zgjedhjet qendrore dhe lokale kanë konsumuar shumë kohë dhe energji, prapëseprapë, si president në koordinim me institucionet tjera, kam vazhduar punën në realizimin e prioriteteve të rëndësisë shtetërore”, ka thënë Thaçi, raporton KP. Ndër prioritet kryesore në këtë aspekt, ai ka thënë se ishte edhe vazhdimi i punës për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, përgatiti Koha. (b.an)