Nga Mero Baze
Sali Berisha ka 27 vite në politikë. Kuvendi i Shqipërisë ka pasur shpesh-herë momente të vështira. Ka pasur dhe vrasje me armë.
Sali Berisha ka forcuar staturën e tij prej “lideri” duke qëndruar gjithnjë në tavolinën e tij, duke dhënë urdhëra me shenja apo gjeste, dhe duke aktruar si njeri që ka kush bën luftë për të.
Ai nuk ka qenë kurrë në vendin e krimit me këmbët e tij. Edhe më 14 shtator 1998, kur njerëzit sulmuan Kryeministrinë me antitanke e kallashnikovë, ai ishte në zyrën e tij. Bëri me shenjë nga Kryeministria sa mbaroi mitingu dhe iku në zyrë.
Në zyrë të tij qëndroi dhe dy ditë më parë më 12 shtator 1998, duke pritur të dëgjonte të shtënat e armës që do të vrisnin Azemin para zyrës së tij.
Sa herë PD është përleshur në Kuvend apo ka bërë gjeste të forta në rrugë, sa herë demonstruesit e saj thyejnë xhama apo pushtojnë zyra, ai nuk është aty.
Sot ka ndodur një ndryshim i madh. Ai nuk komandoi banditë me shenja, edhe pse i kishte gati rrotull tij. Nuk vuri dikë të sulmonte Edi Ramën. U ngrit vetë, ashtu i rrënuar, me dhëmbë shtrënguar, si njeri që nuk i del shpirti pa ardhur dhe një herë në pushtet, dhe u përplas me rojet e Gardës, duke sharrë nga nëna Edi Ramën si halabak. Biles tentoi të shtynte dhe rojet. Donte patjetër ta rrëzonte dikush në tokë, t’i fuste ndonjë shpullë. Apo t’i bënte ndonjë gjest poshtërues. Por nuk pati fat.
Këtë që ka bërë sot, nuk e ka bërë kurrë, as kur rojet e Gardës e kanë arrestuar dhe e kanë hequr zvarrë për ta futur në makinën e policisë më 28 nëntor 2000, me urdhër të Ilir Metës. Si një qengj i butë dhe i bindur, zbriti nga makina e vet dhe hipi në makinën e policisë, duke i dhënë gjeneralitetet drejtorit të policisë, si i biri i Ramës dhe Sheqeres. Dhe mirë bëri. Në raste të tilla duhet të zgjedhësh mes trimërisë së cubit dhe jetës.
Sot ai ishte në një ditë të keqe. Ishte në ditën kur gjenerali shikon se para tij ka një ushtri të vdekur, dhe tenton t’i japë zemër, të dalë vetë i pari. Diferenca mes sjelljes së tij dhe Lulzim Bashës ishte një hendek i madh, që ai tentoi ta mbushë me “trimëri”. Dhe kur nuk ja doli dot, tentoi t’i merrte të gjithë me vete, duke bërë thirrje për djegie të mandateve.
Bëni kujdes. Nuk po kërkonte djegie të mandateve pse u zgjodh Arta Marku, por se ai nuk u lejua të shkonte në tribunë. Dhe mbi të gjitha, pse u la vetëm në rrugëtimin e tij drejt heroizmit. Ishte një hakmarrje ndaj dështimit të tij si komandat i një ushtrie të vdekur.
Më tej akoma, ai u la vetëm jo vetëm nga deputetët brenda, por dhe nga ata pak militantë jashtë sallës. Bërthama e 14 shtatorit ishte aty. Njerëzit që qëlluan me kallashnikovë Kryeministrinë mund t’i shikoni në radhët e para duke shtyrë policinë. Por dikush i ndali. E sigurtë është se Monika Kryemadhi nuk i ndali. Ajo tentoi t’i fusë brenda, duke bërë gjeste nga më “burrëroret” dhe duke bërë kurban dhe çizmet e një marke të njohur për kryeprokuroren e re. Ajo ishte e vetmja aleate e Sali Berishës sot në atë sallë dhe jashtë saj, dhe me sa duket e vetmja që ka halle të përbashkëta me të.
Sali Berisha sot u përball me braktisjen e të vetëve. Ai ndjeu pafuqinë e ushtrisë së tij të vdekur, qysh në fillim të séances, dhe tentoi të bëhej për një ditë gjeneral, me shpresë se do ta ngjallte. Tentoi të bënte atë që nuk e ka bërë kurrë, duke u përballur fizikisht me rojet, me shpresë se dikush do ta rrëzonte përtokë dhe pastaj militantët do “digjnin” Kuvendin.
Nuk ndodhi asgjë. As për tokë e shtrinë, as Kuvendin nuk e dogjën, as thirrjet e tij si dëgjuan, as prokuroren e re nuk e penguan. Thjesht e lanë vetëm si një plak të dëshpëruar, që mendon se mund t’i vërë zjarrin këtij vendi dhe me një të lëvizur të gishtit. Sot e pa, që dhe mund të shkonte për dhjam qeni, pa u merakosur askush. As të vetët! Ata më shumë pyesnin si ishte deklarata e SHBA, se sa çfarë tha Berisha për mandatet.
Është nga ato ditët kur njeriu duhet ta kuptojë, se i ka ardhur fundi si flakvënës. Por mund të ketë të ardhme si i pandehur!