Vetëm kur dukej se Federata Botërore e Futbollit (FIFA) po sherohej nga problemet e shumta ligjore, organizata sërish është në telashe me ligjin.
FIFA akuzohet se po përdor shkumën për të mbajtur në distancë murin gjatë gjuajtjeve të lira, pa respektuar dhe përkrahur patentën e shpikësit.“FIFA ka vjedhur idenë time; është anti-ferplej”, ka thënë Heine Allemagne, shpikësi i shkumës speciale, që ka bërë bujë nëpër botë pasi u përdor gjatë Botërorit 2014 në Brazil.
Produkti lejon referët të bëjnë një vijë me shkumë, për të shënuar vendin ku duhet të qëndrojë muri i gjallë, dhe po ashtu një vijë ku duhet shënuar vendi ku do të vendoset topi, krejt kjo gjatë gjuajtjes së lirë.
Shkuma fshihet afro një minutë pasi bëhet vija, shkruan “The New York Times”, transmeton “Koha Ditore”. Allemagne thotë se veprimet e FIFA-s kanë lejuar kompanitë e tjera të prodhojnë dhe të shesin sprejë rivalë për përdorim në futboll të organizuar.
Këtë javë, pas viteve të peticioneve të pasuksesshme të Allemagnes drejtuar FIFA-s për të respektuar të drejtat e tij, një gjykatë në Rio de Janeiro ka njohur patentën e tij në 44 vende. Gjykata ka urdhëruar FIFA-n të ndalë përdorimin e këtij spreji në çfarëdo gare të saj apo përndryshe rrezikon të gjobitet nga 15 mijë dollarë për ndeshje.
FIFA ka thënë se nuk mund të komentojë në çështjen pasi është ende duket vazhduar. Vendimi mund të apelohet, ndonëse FIFA, që është me seli në Zuerich, ka shpenzuar më tepër se 100 milionë dollarë në tarifa gjyqësore që kur autoritetet në SHBA në vitin 2015 kanë ngritur padi ndaj disa zyrtarëve të lartë të futbollit për korrupsion që daton me dekada.
Spreji i Allemagnes është me patentë me emrin 9.15 Fair Play Limit. Ligat në Amerikë të Jugut e kanë përdorur gjerësisht para se FIFA u pajtua t’i japë atë sprej referëve në Botërorin 2014. Tash referët vazhdimisht nxjerrin kanaçen nga beli ku e mbajnë, dhe bëjnë vijat për të mbajtur murin në distancë gjatë gjuajtjeve të lira.. (b.an)