Për herë të parë, kabinetet qeveritare të Shqipërisë dhe Maqedonisë do të zhvillojnë një takim të përbashkët, ditën e sotme në Pogradec.
Ky zhvillim vjen pas të ashtuquajtur “Deklaratë e Tiranës”, marrëveshje që një vit më parë shërbeu për të dakordësuar mes partive shqiptare në Maqedoni një axhendë të vetme për avancimin e të drejtave të shqiptarëve.
Në këtë takim të të dy kabineteve, sipas asaj që ka mësuar “Lexo.al”, përmirësimi i pozitës së shqiptarëve në vendin fqinj do të jetë sërish në fokus të bisedimeve.
Një ndër marrëveshjet më të rëndësishme që do të nënshkruhen mes dy qeverive tona është ai për intensifikimin e bashkëpunimit dypalësh përmes Institutit të Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve të Maqedonisë.
Një institut shkencor i themeluar në vitin 2007, ITKSSHM-ja është përballur ndër vite me vështirësi të ndryshme, duke u përballur me mungesë kronike fondesh dhe duke u parë shpesh me armiqësi nga shteti maqedonas.
Falë kësaj marrëveshje, ky Institut i çmuar do të kalojë nën mbrojtjen e shtetit shqiptar dhe pavarësia e tij do të garantohet tashmë nga një marrëveshje dypalëshe ndërshtetërore.
Të tjera marrëveshje me një përfitim të drejtpërdrejtë për shqiptarët e Maqedonisë janë edhe ato në fushën e edukimit dhe ndërlidhjes, Konkretisht marrëveshja për ndërtimin e përbashkët të korridorit 8 si dhe marrëveshja për intensifikimin e shkëmbimit të mallrave dhe shërbimeve.
Në fokus të bisedimeve do të jetë edhe formimi i një Këshilli Ekonomik Dypalësh, një forum i cili do të ofrojë shanse të shtuara për një bashkëpunim më të fortë ekonomik midis shqiptarëve në të dy anët e kufirit. /b.d