Ish-sekretari organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, ka treguar detaje të përplasjes së tij me Albin Kurtin, teksa ka folur për përçarjen e partisë së tij, që u zbulua pas shpërthimit të një skandali të brendshëm në VV.
Ai ka folur edhe për pagat që jepen në Vetëvendosje. Molliqaj ka thënë se Liburn Aliu e Xhelal Sveçla i kanë pagat e larta.
“Unë nuk kam bërë dallime në paga dhe s’kam marrë pagë të lartë. E vërteta është ndryshe, pagat e disa aktivistëve janë tepër të ulta. Ato paga sillen kah 440 euro. Nuk ka rroga 800 euro në Sekretariat të VV’së.
Në krejt Kosovës mund të them se paguhen ndoshta 70 aktivistë”, ka thënë Molliqaj.Ai ka akuzuar Liburn Aliun e Xhelal Sveçlën se i kanë pagat e larta. Ai ka thënë se shumica e pagave të tjera në VV janë 330 euro.
“Ata nëse donë me heq pagat, le ti heqin të vetat. Le të heqin dorë nga pagat që i kanë nga 1 mijë e 200 euro. Këto paga janë të larta dhe kjo është e vërteta. Krejt këto janë publike. Nuk bën kështu të luhet me ndjenja të aktivistëve.
Këta persona edhe nuk kanë pranuar të takohen me aktivistë kurrë”, ka thënë ai.Kurse, njëri ndër themeluesit e Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu, ka zbuluar mbrëmë detaje të funksionimit të partisë së tij, pas përçarjes së VV’së.
“Brenda Lëvizjes Vetëvendosje kemi pasur, dhe kemi një sekretariat të përgjithshëm, i cili e ka krijuar një diferencim brenda Lëvizjes”, ka thënë ai në “Interaktiv” të KTV’së, teksa ka folur për punën e ish-sekretarit Dardan Molliqaj.
“Është krijuar diferencimi ndërmjet aktivistëve vullentarë, të cilët punojnë kudo nëpër struktura, degë, qendra, dhe pika të VV, dhe sekretariatit të përgjithshëm të aktivistëve, të cilët paguhen me rrogë, të cilët në njëfarë mënyre e kanë krijuar një shoqëri të mbyllur, dhe përpos që paguhen, e kanë pasur bukur një autoritet më të madh mbi qendrat”, ka treguar Aliu, përgatiti ”Express”. (b.an)