Tre tifozë të ekipit të basketbollit Partizani kanë rënë në pranga për kundërshtim të punonjësve të policisë dhe përdorimin e sendeve të forta ndaj tyre.
Policia ka arrestuar shtetasit Bledar Beca 33 vjeç, Agron Meçanaj 38 vjeç dhe Aden Xh 18 vjeç, të tre banues në Tiranë.
Arrestimi i tyre lidhet me incidentin e regjistruar mbrëmjen e së shtunës, 9 dhjetor 2017, para fillimit të ndeshjes Tirana-Partizani.
Policia sqaron se “rreth orës 17.30, në rruga ”Dritan Hoxha”, para fillimit të ndeshjes së basketbollit e cila do zhvillohej në pallatin e sportit “Asllan Rusi” ndërmjet ekipeve Tirana – Partizani, këta shtetas me disa persona të tjerë ende të pa identifikuar, jashtë ambjenteteve të Pallatit të Sportit, kanë kundështuar me dhunë punonjesit e policisë së forcës së Posaçme “Shqiponjat” dhe shërbimet e tjera të Komisariateve të Policisë Nr 2 dhe 3 duke i goditur me sende të forta, gurë, drunjë e shkopinj bejsbolli”.
Ndërhyrja e menjëhershme e forcave të tjera të Policisë, bëri të mundur neutralizimin e veprimeve të mëtejshme nga ana e tifozëve kundrejt policisë si dhe më pas arrestimin e tre prej tyre të cilët qëlluan punonjësit e policisë me sende të forta.
“Motivi i kësaj situate ka qenë se punonjësit e policisë kishin marrë detyrë që atë grup tifozësh prej afro 130 personash ta zhvendosnin nga aty ku ishin pozicionuar pasi ishin burim konflikti dhe ishin përgatitur të prodhonin konflikt me ekipin kundështar, atë të Tiranës” thotë policia.
Ndërkohë vijon puna për identifikimin, kapjen dhe arrestimin edhe të personave të tjetër që kundërshtuan me dhunë punonjësit e policisë.
Gjithashtu u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për shtetasin H.K, I.S dhe TH.N, vjeç 29, 23 e 20, banues në Tiranë, pasi në pallatin e sportit “Asllan Rusi”, gjatë zhvillimit të ndeshjes së basketbollit Tirana-Partizani, kanë prishur rendin dhe qetësinë publike.
Materialet proceduriale i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, Prishja e qetësisë publike”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta, të kryera në bashkëpunim”, vepra këto të parashikuara nga nenet 236/2 , 274, 279 e 25 të Kodit Penal. /b.d