Nga Carlo Bollino
Pakti kombëtar për Evropën që iu propozua mbrëmë opozitës, nuk është një ide e re e Edi Ramës, madje ai ishte argumenti kryesor që u përdor të nesërmen e marrëveshjes së 17 majit për të shpjeguar arsyet më të thella të marrëveshjes parazgjedhore me Lulzim Bashën. Pas javëve të para të qeverisjes si i vetëm në timon, dhe pasi e ka kuptuar konkretisht se kjo do të thoshte që je i vetëm edhe kundër gjithë opozitës, Rama duket i vendosur të përshkojë rrugën e dialogut politik. Sinjali i parë konkret ishte heqja dorë nga përpjekjet për të zëvendësuar kreun e KQZ Klement Zguri, lëvizje, me të cilën faktikisht la të paprekur një nga shtyllat e marrëveshjes së 17 majit, bashkë me Avokatin e Popullit, që mbetet gjithnjë në dorë të opozitës.
Pas falenderimeve që i bëri Bashës ditët e vështira të përmbytjeve, vjen tani një ofertë edhe për të emëruar bashkarisht kryeprokurorin. Një propozim ky që u paraqit pas kthimit nga Brukseli, ku Rama mori më shumë lëvdata dhe më shumë mbështetje nga sa priste ndoshta edhe vetë ai. Në të vërtetë, Brukseli nuk është shprehur kurrë me kritika kundër kësaj qeverie, nga e cila vlerëson linjën e moderuar dhe euroatlantike në planin ndërkombëtar, dhe disponibilitetin për dialog në planin e brendshëm. Kaq u mjafton diplomatëve për të adhuruar një kryeministër.
I përforcuar nga një rikonfirmim ndërkombëtar, Rama i shtrin dorën sërish Lulim Bashës në një klimë shumë të ngjashme me atë të 17 majit, kur ishte pikërisht ndërgjegjësimi se tashmë mund të shkonte në votime edhe pa PD-në (falë dakordësisë së marrë nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian), ai që e shtyu në kompromisin e qeverisë teknike me opozitën. Deri tani, Rama ka treguar se kënaqet kur fiton por se nuk dëshiron asnjëherë të korrë fitore dërmuese dhe në këtë mënyrë është i ndryshëm nga Sali Berisha, i cili, pikërisht për shkak të manisë së tij pa kufi për pushtet, përfundoi në atë që humbi gjithçka. Në fund të fundit, të vendoset bashkërisht zgjedhja e kryeprokurorit është një gjest politikisht korrekt në vigjilje të një reforme gjyqësore, që ka për qëllim pikërisht të vendosë të gjithë aparatin e drejtësisë jashtë ndikimit të drejtpërdrejtë të Ekzekutivit dhe të politikës.
Por ajo që nuk është shumë e qartë është se çfarë ka ndër mend konkretisht Edi Rama me propozimin e “Paktit Kombëtar” që iu bë opozitës. Më 17 maj me këtë shprehje iu hapën dyert qeverisë teknike, e cila tanimë nuk duket se qendron si hipotezë, përderisa do të tradhtonte idenë e timonit unik, që i shtyu shqiptarët t’i japin votat kësaj qeverie. Atëherë, mbi tryezë mbeten vetëm reformat. Në marrëveshjen e 17 majit ishin parashikuar me hollësi:
1. Reforma Kushtetuese (me fillimin e legjislaturës së re)
2. Reforma zgjedhore (me fillimin e legjislaturës së re)
3. Futja e teknologjive elektronike në procesin e identifikimit votimit dhe numërimit për zgjedhjet pasuese
4. Reformim tërësor i sistemit të prokurimeve publike dhe auditimit të shpenzimeve publike.
Perspektiva – më në fund konkrete – e hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian brenda gjashtë muajsh sugjeron nevojën që të ulet niveli i përplasjes politike, sidomos sa u përket kritikave “në gjuhë të huaj”, siç i cilëson Rama në ftesën e tij (nëpërmjet Facebook-ut) bërë mbrëmë opozitës. Përpjekja e Bashës (por jo vetëm e tij, në të vërtetë) për të denigruar besueshmërinë e Shqipërisë dhe qeverisë së saj pranë kancelarive evropiane, pikërisht kur ato duhet të vendosin të promovojnë apo jo vendin, pa dyshim është një akt miop dhe pa vizion kombëtar.
Por Rama në të njejtën kohë ka një interes politik edhe që të kalojë këto reforma bashkë me Partinë Demokratike, jo vetëm sepse i vetëm nuk do të kishte votat e duhura për t’i miratuar në Parlament, por edhe pse sëbashku dy partitë e mëdha mund të gjenin rrugën për të larguar përfundimisht nga skena zgjedhore partitë e vogla, duke filluar nga LSI e familjes Meta-Kryemadhi. Një klimë konsensusi do ta ndihmonte Ramën edhe në aspektin e brendshëm, ku sulmet e nisura me rastin Tahirin janë bërë shumë të ashpra dhe perspektiva e vetme është që të mund të shparsohen me kapituj të rinj. Në këtë pikë, pyetja është nëse Basha do ta pranojë propozimin e ri që i erdhi nga kryeministri. Logjika të thotë se duhet ta bëjë, po të nisesh nga vështirësitë që përjeton brenda partisë së tij dhe papërfillshmëria thelbësore e PD-së në opinionin publik.
Por Basha ka treguar edhe si di ta luajë bllofin deri në momentin e fundit, edhe kur duket i dëshpëruar, e kështu, duke nuhatur interesin e Ramës për një kompromis, mund të vendoste tani të rriste çmimin e kësaj marrëveshjeje, duke kërkuar shumë më tepër se sa një emërim të thjeshtë konsensual të prokurorit të përgjithshëm, për më tepër me funksion të përkohshëm. Dhe reagimet e para që kanë ardhur nga PD duket që shkojnë pikërisht në këtë drejtim.
Për Ramën, sfida është të krijojë një klimë që të mos pengojë në asnjë mënyrë rrugën e tij drejt Bashkimit Evropian, një objektiv ky nga i cili do të kishte pa diskutim përfitime të tjera politike. Për Bashën, është ajo që të tregohej më në fund një lider me një vizion më të gjerë dhe afatgjatë se ai vizion i vockël dhe provincial, në të cilin e ka zhytur Sali Berisha prej 5 vitesh./Shqiptarja