Policia e Tiranës solidarizohet me banorët që u përmbytën nga rreshjet e fundit në zonat Fier, Vlorë, Fushë Krujë, Tiranë etj.
Nga Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, gjatë ditës së sotme me iniciativën dhe me financat e tyre, janë blerë dhe grumbulluar qindra mijra kilogramë ushqime për t’ua shpërndarë banorëve të përmbytur ditët e fundit nga reshjet e shiut. Gjatë grumbullimit të ndihmave ushqimore, punonjësit e policisë së Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, janë vizituar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Haki Çako.
Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Drejtues Ardi Veliu, ka falënderuar punonjësit e Policisë të Komisariateve të Policisë dhe të Drejtorisë, për humanizmin dhe solideritetin e treguar sot me këtë veprim. “Gjendemi këtu sëbashku me Drejtorin e Përgjithshëm, për t’iu përgjigjur iniciativës nga shumë punonjës policie të kësaj Drejtorie në lidhje me solidaritetin që ne, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, duhet të tregojmë me qytetarët që janë në nevojë si rrjedhojë e përmbytjes së shkaktuar javën e fundit. Unë, në emër të Drejtorisë Vendore Tiranë, dua t’ju falenderoj të gjithëve për mbështetjen, për solidaritetin që treguat dhe për ndihmën që po jepni të gjithë. Për këtë dua të falënderoj edhe në emrin tuaj, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë që gjendet këtu mes nesh, për të na mbështetur në këtë iniciativë“.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Haki Çako, gjatë bashkëbisedimit me efektivat e Policisë ka theksuar se nisur nga shumë sms e telefonata nga punonjës policie të të gjitha niveleve, për të kontribuuar me financat e tyre në grumbullimin e ushqimeve. Kjo tregon që nuk është kjo Policia që përbaltet çdo ditë, por është një Polici me fytyrë sociale, humane dhe në shërbim të ligjit dhe qytetarit.
“Në fakt për të qenë mëse i sinqertë, kjo nismë ose iniciativë ka ardhur mbi bazën e disa mesazheve të ardhura në telefonin tim nga një sërë punonjësish policie të të gjitha niveleve të cilët kanë shprehur gatishmërinë dhe kontributin e tyre për të ndihmuar në kompesimin ekonomik me të gjitha mundësitë e veta, të dëmeve që u janë shkaktuar familjarëve të përmbytur në ditët e para të muajit dhjetor në zona të ndryshme. Përcjell një falenderim për të gjithë punonjësit e policisë të cilët kanë qenë të angazhuar gjatë ditëve të gatishmërisë, por edhe në angazhimin e drejtpërdrejtë, në shpëtimin e jetëve, por edhe të ndihmës që i është dhënë të gjitha familjeve që kanë pasur nevojë për të qenë prezent Policia e Shtetit.
Ky kontribut, është një shembull shumë i mirë i solidaritetit të Policisë së Shtetit në të gjitha rastet dhe në mënyrë të veçantë, kur ka fatkeqësi të tilla natyrore. Jam i bindur së iniciativa, por edhe gatishmëria e oficerëve dhe punonjësve të Policisë të Drejtorisë Vendore Tiranë, ka filluar të pasohet nga të gjitha Drejtoritë Vendore dhe strukturat e tjera të Policisë së Shtetit. Ju falënderoj të gjithëve”, tha Çako.
Deri në këto momente nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë janë grumbulluar 4 630 kg ushqime, 150 koli biskota, 35 pako me produkte të ndryshme, 366 koli me ujë e pije freskuese. Grumbullimi i ndihmave në ushqime po vijon nga Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë. Kjo inicitaivë tashmë ka filluar në të gjitha Drejtoritë Vendore të Policisë në Qarqe.
a.ç